TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Dhjetor 2023, 14:32

Urdhri i Kryeministrit/ Mësuesit dhe punonjësit e dënuar, do largohen nga puna; janë afro 1200 persona

Shkruar nga Pamfleti
Urdhri i Kryeministrit/ Mësuesit dhe punonjësit e dënuar, do
Foto Ilustruese /

Largimi i të dënuarve nuk do bëhet në administratën e Ministrisë së Arsimit, në agjencitë kombëtare të Arsimit, në zyrat arsimore rajonale e të rretheve dhe në universitete, ku ka drejtues, nëpunës profesorë e punonjës ndihmës të dënuar edhe për pedofili...

Pas 10 vitesh në pushtet dhe ndërrimit të 4 ministrave të arsimit, Kryeministri u kujtua të pastrojë arsimin nga mësuesit dhe punonjësit e sektorëve shkollorë, të dënuar për pedofili, vjedhje, korrupsion, falsifikime dhe vepra penale të parashikuara në 83 nene të Kodit Penal.

Sipas Udhëzimit Nr. 23, datë 21 nëntor 2023, të Ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, me objekt: “Përcaktimi i veprave penale që përbëjnë ndalimin e punësimit në sistemin arsimor para-universitar”, do fillojë pastrimi i çdo punonjësi të dënuar me vendim të formës së prerë.

Në udhëzim, përcaktohen 83 nene të Kodit Penal, që do prekin mësuesit dhe punonjësit e shërbimeve, si metodistë, ndihmës, roje, shoferë, sekretarë e kujdestarë të shkollave dhe punonjës të qendrave ku aktivizohen nxënës të arsimit para-universitar.

Para nxjerrjes së udhëzimit të ministres Ogerta Manastirliu, që është publikuar në Fletoren Zyrtare të datës 1 dhjetor 2023 dhe ka hyrë në fuqi; janë bërë para-përgatitjet e “Operacionit Fshesa”, për largimin e mësuesve dhe punonjësve të dënuar.

Faza e parë, do jetë vetë-deklarimi i mësuesve e punonjësve të shkollave, pastaj do bëhet verifikimi tyre në bashkëveprim me Ministrinë e Drejtësisë, prokuroritë e gjykatat në prefektura, për të evidentuar ata që janë me njolla penale e vazhdojnë punën në arsim.

Sipas një evidentimi paraprak, thuhet se në sistemin para-universitar, janë afro 1200 mësues e punonjës të dënuar penalisht me vendim të formës së prerë, të cilët do shkarkohen dhe nuk do jenë pjesë e organikave të shkollave në vitin mësimor 2024-2025.

Por megjithëse ligji për këtë pastrim, është në fuqi qysh më 21 qershor 2012; Kryeministri u kujtua pas 10 vitesh në pushtet, të pastrojë shkollat nga punonjësit e dënuar për vepra penale, që bien ndesh me sigurinë e nxënësve dhe figurën punonjësit të arsimit.

Po edhe me këtë proces pastrimi tipik vetting, nuk do preken personat e dënuar që janë në administratën e Ministrisë së Arsimit, në Agjencitë Kombëtare të Arsimit, në zyrat arsimore rajonale dhe drejtuesit, pedagogët e punonjësit në universitete, megjithëse mes tyre ka persona të dënuar edhe për pedofili./Pamfleti

urdhri i kryeministrit largimi i të dënuarve nga sistemi arsimor

Lini një Përgjigje