Nën thirrjet "Rama jep dorëheqjen", demonstruesit kanë mbërritur para godinës së Policisë së Shtetit, ndërsa protesta kundër qeverisë vijon në rrugët e kryeqytetit.
Vijon marshimi i protestuesve në rrugët e Tiranës. Pasi u mblodhën në bulevard, demonstruesit kanë mbërritur në këto momente pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku po vijojnë protestën e tyre kundër qeverisë.
Nën thirrjet "Rama jep dorëheqjen", "Shqipëria kërkon revolucion", "Poshtë patronazhistët", "Ju erdhi fundi" dhe "Rama në burg", protestuesit marshuan përgjatë rrugëve të kryeqytetit, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe mbajtjen e përgjegjësisë politike për qeverisjen.
Përpara godinës së Policisë së Shtetit, protestuesit kanë vijuar me brohoritjet dhe kanë akuzuar institucionet për mbështetje të qeverisë. Ndërkohë, në perimetrin e godinës janë vendosur forca të shumta policore, të cilat po monitorojnë nga afër zhvillimin e protestës.
Marshimi po zhvillohet në kuadër të protestës së radhës kundër qeverisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë në protestën kombëtare të paralajmëruar për të shtunën.
Lini një Përgjigje