Një nga arbitrat më të njohur të futbollit botëror, Entoni Tejlor, ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga arbitrimi, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme që zgjati më shumë se 20 vjet.
47-vjeçari largohet nga fushat pasi drejtoi plot 831 ndeshje në të gjitha nivelet e futbollit. Takimi i fundit i tij ishte sfida mes Spanjës dhe Portugalisë, e fituar 1-0 nga spanjollët në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës.
Gjatë 16 sezoneve në Premier Ligë, Tejlor arbitroi 432 ndeshje, duke u renditur i treti në listën e arbitrave me më shumë takime të drejtuara në historinë e elitës angleze. Në karrierën e tij spikasin finale dhe ndeshje të nivelit më të lartë, mes tyre finalja e Ligës së Kampionëve në vitin 2024, finalja e Ligës së Europës më 2023, Botërori i Klubeve, si edhe turne madhorë si Kupa e Botës dhe Kampionati Europian.
“Arbitrimi në nivelet më të larta ka qenë një privilegj, por presioni dhe vëmendja janë shumë intensive. Mendoj se ka ardhur momenti i duhur për t’u tërhequr,” u shpreh Tejlor.
Lidhja e Entoni Tejlor me futbollin shqiptar
Arbitri anglez ka lënë gjurmë edhe në futbollin shqiptar. Ai ishte gjyqtari i finales historike të “Final Four” të Superligës, ku Egnatia mposhti Partizanin 1-0 në stadiumin “Air Albania”, më 26 maj 2024, duke u shpallur kampione.
Tejlor ka drejtuar gjithashtu dy ndeshje të Kombëtares shqiptare. E para ishte barazimi 1-1 ndaj Çekisë në kualifikueset e “EURO 2024”, ndërsa e dyta ishte humbja 2-1 përballë Polonisë në Varshavë, në ndeshjen e “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, që i dha fund ëndrrës së kuqezinjve për kualifikim.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje