TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Qershor 2026, 21:00

E veja e gjyqtarit Kalaja "gozhdon" Gogun: Kushtet e Apelit skandaloze, në Shkodër Astriti do të ishte ende gjallë

Shkruar nga Pamfleti
E veja e gjyqtarit Kalaja "gozhdon" Gogun: Kushtet e Apelit
Valbona Kalaja-Astrit Kalaja-Toni Gogu

Valbona Kalaja i kujton ministrit të Drejtësisë kushtet skandaloze të Gjykatës së Apelit në Tiranë...

Gati një vit pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, e veja e tij, Valbona Kalaja, ka reaguar publikisht ndaj ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, duke e kritikuar për mungesën e investimeve në gjykata.

Reagimi erdhi pasi ministri Gogu publikoi në rrjetet sociale pamje nga një inspektim në procesin e ndërtimit të një burgu në Kukës.

Në komentin e saj, Valbona Kalaja i kërkon ministrit që të mos fokusohet vetëm te ndërtimi i burgjeve, por të investojë edhe në ndërtimin e një godine të re për Gjykatën e Apelit në Tiranë, duke e cilësuar gjendjen aktuale të saj si skandaloze.

"Zoti ministër, filloni ndërtimin e një Gjykate të re të Apelit në Tiranë, sepse kushtet e kësaj gjykate janë skandaloze. Para një jave një e afërme kishte një gjyq dhe m'u desh ta shoqëroja dhe, të them të drejtën, më dhimbsen ata gjyqtarë që punojnë në ato kushte. Ju vetë keni punuar në gjykatë dhe e dini shumë mirë çfarë do të thotë. Bashkëshorti im e dëshironte gjithë kohës një gjykatë të re, pasi në Shkodër punonte në një gjykatë me standarde evropiane dhe e mendoj shpesh se, po të ishte me punë në Shkodër, kurrë s'do t'i ndodhte ajo që i ndodhi. E meritojnë ata njerëz të punojnë në kushte normale, sepse kanë një punë të vështirë mbi supe", shkruan ajo.

Komenti i saj ka marrë vëmendje të madhe, pasi lidh drejtpërdrejt mungesën e kushteve të përshtatshme në sistemin gjyqësor me sigurinë e gjyqtarëve.

E veja e gjyqtarit Kalaja "gozhdon" Gogun: Kushtet e Apelit

Ministri Toni Gogu iu përgjigj publikisht, duke tentuar të justifikohet. Edhe pse kanë kaluar 9 muaj nga akti i rëndë, siguria e gjykatave mbetet njësoj. Kanë zero standarde. 

"E nderuar zonjë Valbona Dema Kalaja, faleminderit për mesazhin tuaj. E kujtoj me respekt dhe nderim kontributin e të ndjerit Astrit dhe e kuptoj shumë mirë shqetësimin që ngrini. Përmirësimi i infrastrukturës gjyqësore është një nga objektivat ku po punojmë me institucionet përgjegjëse. Nuk është një punë që bëhet brenda natës, por është një angazhim që e konsideroj të rëndësishëm. Ju falënderoj për ngritjen e shqetësimit", shkruan ministri.

E veja e gjyqtarit Kalaja "gozhdon" Gogun: Kushtet e Apelit

Astrit Kalaja u vra më 6 tetor të vitit të kaluar brenda sallës së gjyqit, pasi u qëllua me tre plumba nga Elvis Shkambi, menjëherë pas shpalljes së një vendimi në një proces gjyqësor për prona. Ngjarja tronditi opinionin publik dhe ngriti pikëpyetje të forta mbi sigurinë në institucionet e drejtësisë.

 

kalaja gogu

Lini një Përgjigje