
Pas tubimit dhe fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë, protestuesit kanë vijuar marshimin e tyre në rrugët e Tiranës, në kuadër të protestës që ka hyrë në ditën e 16-të radhazi.
Këtë herë, qytetarët kanë zgjedhur një itinerar të ndryshëm nga ai i ditës së djeshme. Nëse një ditë më parë marshimi u zhvillua përgjatë rrugës “Mine Peza”, zonës së Zogut të Zi, Laprakës dhe deri në autostradë, sot protesta është përqendruar në zonat qendrore të kryeqytetit.
Pas largimit nga Kryeministria, protestuesit kaluan fillimisht pranë Kishës Ortodokse dhe më pas vijuan drejt zonës së Shallvareve, duke mbajtur të bllokuara përkohësisht disa akse rrugore.
Gjatë marshimit, pjesëmarrësit kanë përsëritur thirrjet që tashmë janë kthyer në sloganet kryesore të protestës, mes tyre “Rama ik!” dhe “Rama jep dorëheqjen!”, ndërsa kanë theksuar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Sipas planit të protestuesve, marshimi pritet të përmbyllet me rikthimin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe para godinës së Kryeministrisë, aty ku çdo ditë janë mbajtur fjalime dhe janë artikuluar kërkesat e tyre.
Qytetarët shprehen të vendosur për të mos u tërhequr nga protesta, duke deklaruar se do të vijojnë daljen në rrugë deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Lini një Përgjigje