
Pas disa orësh protestë para Kryeministrisë, qytetarët që prej 16 ditësh kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama kanë vijuar marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Kolona e protestuesve u drejtua drejt zonës së ish-Bllokut, ku pjesëmarrësit përcollën mesazhe kundër qeverisë dhe u bënë thirrje qytetarëve të tjerë që t'u bashkohen protestës.
Gjatë marshimit, protestuesit iu drejtuan personave të ulur në lokalet e zonës, duke i ftuar të lënë kafenë dhe t'i bashkohen tubimit. “Çohuni nga kafja, bashkohuni me ne”, ishte një nga thirrjet që u dëgjua gjatë kalimit të tyre në ish-Bllok.
Mes ovacioneve dhe pankartave, nuk munguan as thirrjet drejtuar kryeministrit. “Rama ka mbaruar” dhe “Rama jep dorëheqjen” ishin disa nga sloganet më të dëgjuara gjatë marshimit.
Protesta vijoi në mënyrë paqësore, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se mobilizimi qytetar do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje