Zjarri shpërtheu pasditen e djeshme rreth orës 17:00 dhe ende pas më shumë se 10 orësh përpjekjesh, vatra vijon ende të jetë aktive në thellësinë e masës së mbetjeve, ndërsa re të mëdha tymi toksik vijojnë të dalin mbi qytet.
Vijon zjarri masiv që ka përfshirë zonën pranë inceneratorit të Elbasanit që prej pasdites së kësaj të marte.
Nga pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, shihet se flakët janë përhapur edhe më gjerë në landfill, të favorizuara nga materialet që kanë pushtuar zonën.
Forcat zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje, por situata është ende jashtë kontrollit.
Në përpjekje të izolimit të vatrës së zjarrit, kanë shkuar dhe forca zjarrfikëse nga Tirana drejt Elbasanit, pasi intensiteti i flakëve është i lartë dhe shuarja e tyre e vështirë.
Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarret dhe Shpëtimit, Arben Cara, ka sqaruar edhe ardhjen e ndihmave nga bashkitë përreth Elbasanit, por ende asnjë rezultat për shuarjen e zjarrit.
Për shkak të mbetjeve, po përdoret shkuma për shuarjen e zjarrit, por sërish flakët vijojnë me intensitetin e lartë.
“Për vatrën aktuale që ne jemi, kemi angazhuar edhe 60 forca zjarrfikëse nga disa bashki fqinje. Duke marrë dhe nga qarku i Tiranës dy automjete, nga Kamza kemi marrë, nga Berati kemi marrë automjete zjarrfikëse dhe gjithë bashkitë fqinje që ka qarku i Elbasanit. Po punohet intensivisht për izolimin e vatrës së zjarrit. Kuptohet, kemi të bëjmë me mbetje që janë shumë të vështirë për t’u fikur, pasi kërkohet një specificë e veçantë siç është shkuma në këtë rast. Po përdoret shkuma nga të gjitha automjetet. Po sjellim shkumë edhe nga Tirana, edhe nga disa qytete të tjera, në mënyrë që zjarrin ta izolojmë në një kohë sa më të shkurtër. Gjithashtu, bashkia vetë ka vendosur disa fadroma në lëvizje, kamionë, siç i shikoni, për të izoluar mbetjet me mbetjet e lumit të Shkumbinit, pasi nëse ne nuk përdorim shkumën në këto mbetje, zjarri do vazhdojë intensivisht. Vatra është shumë e përhapur. Kemi arritur ta izolojmë që të mos përhapet, që banesat rreth saj mos të jenë të rrezikuara”, tha Cara.
Jo vetëm zjarrfikësit, por edhe ushtria është angazhuar për situatën në Elbasan.
“Përtej forcave të angazhuar, edhe ushtria është e angazhuar, me dy-tre automjete të veta, për të mbajtur nën kontroll. Por, edhe pse kjo vatër fiket, riaktivizohet në pak sekonda, pasi vetë infrastruktura nuk na mundëson që të kemi mjetet non-stop me ujë dhe shkumë. Duhet të shkojnë, të rimbushen, e të kthehen”, u shpreh ai.
Zjarri shpërtheu pasditen e djeshme rreth orës 17:10 dhe ende pas më shumë se 10 orësh përpjekjesh, vatra vijon ende të jetë aktive në thellësinë e masës së mbetjeve, ndërsa re të mëdha tymi toksik vijojnë të dalin mbi qytet.
Kujtojmë se ekziston dyshimi për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë është ende herët për ta verifikuar, pasi zjarri vijon intensivisht në zonë.
Këto flakë shkaktojnë dëme të mëdha mjedisore. Banorët e Elbasanit, përballen shpesh me cilësi shumë të keqe të ajrit, që pason dhe në sëmundje, për shkak të Metalurgjikut, por dhe djegies së mbetjeve.
Është e disata herë që merr flakë fusha e mbetjeve dhe kjo bëhet me qëllim, pasi duke mos kryer procesin e incenerimit, plehrat digjen për të “pastruar” fushën. Por kemi të bëjmë me një masakër mjedisore dhe gjurmët të çojnë te “Eco Alb” .
Kjo kompani, e krijuar nga të gjitha bashkitë e qarkut për të menaxhuar dhe inceneruar mbetjet urbane, është kthyer sot në një organizatë kriminale financiare, e cila ka përvetësuar rreth 9 milionë euro fonde publike pa kryer asnjë shërbim real.
Sipas hetimeve të deritanishme, bëhet fjalë për një grup të organizuar me struktura të qarta dhe me role të ndara, që nga administratori i kompanisë, te financierët, punonjësit teknikë dhe mbështetësit politikë në bashki.
Qytetarët kanë paguar taksa për pastrimin e mbetjeve, ndërsa mbetjet janë lënë të kalben në natyrë dhe paratë kanë përfunduar në xhepat e një rrjeti të ngushtë individësh të lidhur me pushtetin lokal.
Lini një Përgjigje