Kush fshihet pas lokaleve të basteve sportive të përhapur ngado?
Pas shumë tolerishmesh të njëpasnjëshme, policia duket se është detyruar të arrestojë Lendi Palajn, ‘kokën’ e lokaleve të basteve '333’ dhe ‘CR7’.
Arrestimi ka ardhur pas sherrit që ndodhi më 10 qershor në “Ali Dem”, ku pati dhe të shtëna me armë zjarri.
Ndalimi i tij ka ndodhur mbrëmë, por kaloi në heshtje. Edhe pse policia njoftimin e dërgoi me iniciale dhe kishte "ngatërruar" vitin e ngjarjes, mësohet se është arrestuar Njulend Palaj, i njohur shkurt si Lendi.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3 ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim Nj. P., 28 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg“, për veprat penale ''Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit'' ,''Prodhim dhe mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta'' dhe ''Kanosja”. Ky shtetas u shpall në kërkim me datë 10.06.2024 (10.06.2025), si i dyshuar i përfshirë në një konflikt në rrugën “Ali Demi”, thuhej në njoftimin e policisë.
Por tani drejtësia do të jetë në test përballë mafies së basteve. Sipas burimeve, Palaj po përdor të gjithë manovrat për të dalë nga qelia dhe do të shohim sa e fortë do të jetë drejtësia përballë mafies së basteve.
Në pamje të parë, Palaj nuk figuron në listat e bizneseve, nuk rezulton me kompani të regjistruara në QKB, dhe po ta kërkosh në faqet e kronikës, mund të mos gjesh asnjë gjurmë. Por ai cilësohet si “truri” i lokaleve që janë hapur shumë në Tiranë ‘333’ dhe ‘CR7’. Në fakt janë lokale ku gëlojnë bastet sportive, ndonëse të ndaluara me ligj.
Po si u fuqizua ky emër relativisht i panjohur? Raporti tregon se gjithçka filloi gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit, kur Palaj ishte i përfshirë në procesin e mbledhjes së votave në zonën e Ali Demit, duke punuar për llogari të PSD-së së Tom Doshit. Aty krijoi lidhje me personazhe kyçe që administronin rrjetin zgjedhor në terren dhe, pas mbylljes së zgjedhjeve, këto njohje i hapën dyert për t’u marrë më pas me lojërat e fatit në mënyrë të strukturuar. Më tej, thuhet se vetë njerëzit pranë Tom Doshit dhe Çim Babasit e mbështetën financiarisht dhe i siguruan një “ombrellë sigurie”, duke i dhënë mundësi Palajt të ngrinte një rrjet të sofistikuar bastesh.
Në formë të organizuar, rrjeti numëron 25 deri në 30 lokale të shpërndara në kryeqytet, secili i pajisur me platforma online, VPN të centralizuara dhe mundësi pagese kesh ose kriptovalutë. Në pamje të jashtme duken si kafene krejt të zakonshme, ose të regjistruara si “Tobacco shop/gaming corner”, por realisht aty qarkullojne miliona para bastesh në të zezë. Burimet për “Pamfleti” thonë se aktualisht logo apo tabela “baste” s’do të gjeni, por mjafton të njohësh njeriun “e duhur” për t’u kyçur në sistem.
Sipas burimeve tona, ka një hetim paralel edhe nga SPAK dhe BKH, të cilët po gjurmojnë pasurinë e Tom Doshit, i cili hodhi miliona në zgjedhje. Duket se ky do të jetë testi i radhës i drejtësisë, për të shkuar tek ata që fshihen pas Palajt./Pamfleti
Lini një Përgjigje