Aktualitet17 Maj 2024, 17:34

Vrasja e efektivit në Fier/ Softa: U godit shteti, mund të ketë diçka tjetër që fshihet pas krimit

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja e efektivit në Fier/ Softa: U godit shteti, mund të ketë
Eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa, ka analizuar vrasjen e efektivit të “Shqiponjave” Novruz Cenalia, si dhe dorëzimin e autorit të dyshuar Azgan Mërnica në polici.

Softa tha se kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm familjarët, të afërmit dhe kolegët, por dhe gjithë strukturën shtetërore dhe opinionin publik.

“Ngjarja e Fierit ka tronditur jo vetëm familjen, miqtë dhe efektivët e policisë por mbarë opinionin publik”, tha softa për RTSH24

Eksperti shtoi gjithashtu se duhet që të hetohet më tej nëse vrasja e efektivit ishte për shkak të një konflikti të momentit, apo e menduar më parë.

“Asgjë nuk mund të jetë rastësore. Nuk mund ta zvogëlojmë çështjen dhe të themi që ishte thjesht një krim ordiner se i zuri rrugën, apo më pa me inat. Mund të kemi hesape të mëparshme të cilët kalojnë në hakmarrje. Është një ngjarje që duhet të mbaroi hetimi dhe të kemi një pasqyrë më të plotë për këtë ngjarje dhe të kemi një version zyrtar”, u shpreh Softa.

Eksperti Softa ka ngritur shqetësimin që punonjësit e policisë që luftojnë krimin dhe nuk kanë siguracion jete.

“Të gjithë ndihemi të vrarë që ai është në vijën e parë dhe ata që duhet të merren me rendin dhe sigurinë duke mbrojtur jetën e qytetarëve bëhen objekt i krimit dhe humbasin jetën. Punonjësit të policisë duhet të kemi dhe një siguracion për jetën. Gjithë këta persona që përballen me krimin nuk kanë asnjë siguracion për jetën", vijon më tej eksperti.

Duke analizuar profilin e autorit të ngjarjes të 23-vjeçarit Azgan Mërnica, Softa shton se këta persona që jetojnë një ambient tepër të dhunshëm dhe të rënduar kriminale, duhet të jenë në vëshgim, jo vetëm nga policia, por dhe shoqëria.

“Fakti që personi është i ndaluar dhe është marr masa e sigurisë, dhe i veshur me antiplumb tregon që dhe kur ishte i arratisur ka qenë dy herë i rrezikuar. I rrezikuar nga hakmarrja apo dhe që mund të ndeshej me forcat elitë të policisë, që në parim e kanë prioritet jetën e personit por mund të ndodh që gjatë shkëmbimit të zjarrit mund të ketë dhe humbjen e jetës. Fakti që ai ka deklaruar që nuk është penduar tregon që ai e urren uniformën e policisë. Një person i cili ka një situatë tepër të rënduar kriminale vetë dhe brenda familjarëve të tij. Babai i dënuar, vëllezërit të arrestuar. Në një moshë të re dhe bashkë me nënën e tij vret një punonjës policie. Hetimi mund të sjellë një situatë tjetër që mund ta rëndojë situatën e tij. Persona të tillë duhet të mbahen në kontroll për shkak të kaluarës së tyre kriminale”, theksoi eksperti.

Gjithashtu eksperti Softa apeloi që policia të depolitizohet.

“Ne na duhet të punojmë shumë si shoqëri, na duhet të punojmë shumë si shtet që të ngremë këtë autoritet të punonjësve të policisë.  Duhet të ngremë dhe strategji duke mos e politizuar strukturën policore, në mënyrë reale jo thjesht fiktive për të rritur autoritetin e Policisë së shtetit”, tha Softa.

fatjon softa