
Është shtyrë sërish seanca për shqyrtimin e kërkesës së Arber Paplekajt për lirim me kusht nga burgu.
Gjykata ka vendosur që seanca e radhës të zhvillohet më 19 shtator, në orën 09:45 dhe shkak për shtyrjen është bërë mungesa e një përfaqësuesi të Shërbimit të Provës, pjesëmarrja e të cilit është e detyrueshme në këtë fazë.
Gjykata e Apelit ka dënuar me 7 vjet burg Arbër Paplekajn, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, më 25 Prill të 2021 në Elbasan.
Ish-efektivi i RENEA ishte dënuar nga Gjykata e Elbasanit me 22 vite burg për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, por kishte pretenduar se krimin e kishte kryer për vetëmbrojtje. Pikërisht ky argument u pranua nga trupa gjykuese e cila e dënoi Paplekajn për akuzën “Vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.
Teksa ka vuajtur më shumë se gjysmën e dënimit, mbrojtja e tij ka kërkuar përfitimin e lirimit me kusht. Seanca e shtatorit pritet të jetë vendimtare për kërkesën e Paplekajt që nuk mori pjesë në seancë, në të cilën përfaqësohej nga avokati.
Lini një Përgjigje