
Banorë të zonës së Gramshit, atje ku flakët shkaktuan viktimën e parë, ndërsa rreth 8 qytetarë u asfiksuan, akuzojnë shtetin për reagimin e vonuar dhe jo proporcional në përputhje me rrezikshmërinë e situatës.
Zjarret u përhapën me shpejtësi në zonat rurale të Bashkisë së Gramshit, duke djegur banesa e bagëti.
Për Report TV, banorë të zonës së prekur shprehen se u detyruan të largohen, pasi flakët dolën jashtë kontrollit.
“Shkrumb me banesë, me lopë, të gjitha. Na dogji zjarri të këmbët. Siç qemë ikëm. Siç qemë në shtëpi ikëm. Për çfarë e kemi shtetin, për çfarë e duam shtetin. Mundësi shteti pati ta fikte, vërtetë ka zjarr në tërë rrethet, ama të bëhet shteti pak i gjallë. Ne e marrim në telefon, ai fik telefonin. Në orën 09:00 ka ardhur një zjarrfikëse. Një zjarrfikëse erdhi që në mëngjes, kur u kthye që erdhi zjarri te neve. Rroftë ai autobusi i fshatit që erdhi na mori. U dogjëm si minjtë, na u dogj malli, na u dogjën shtëpitë. Sikur mos të ketë shtet.”
“Po të na kishte lënë policia do e kishim mbrojtur shtëpinë, Shtëpia e vëllait m’u dogj. Janë djegur 3-4 shtëpi.”
“Ishte zjarri shumë i madh. Qëndruam deri në fund, edhe ne desh u dogjëm. U dogjën shtëpitë rreth e qark. Erdhi policia, ne nuk pranuam të ikim. Na mori me forcë nuk ikëm.”
Lini një Përgjigje