Vala e re e drejtësisë në Mal të Zi ka tronditur jo vetëm Podgoricën zyrtare, por ka bërë që dridhmat të ndjehen fort edhe në krahun tjetër të Liqenit të Shkodrës.
Arrestimi i Aco Djukanović-it, vëllait të ish-presidentit të gjatë malazez Milo Gjukanoviç, ka dërguar një sinjal të qartë në të gjithë rajonin: perdja e paprekshmërisë së familjarëve të pushtetarëve po shqyhet.
Bastisjet e 27 shkurtit në Podgoricë dhe Nikshiq, sekuestrimi i armëve dhe vendosja e vëllait të ish-kreut të shtetit në pranga, janë parashikuar nga analistët si një test historik për pavarësinë e drejtësisë malazeze. Por kjo ngjarje ka rihapur menjëherë plagën e madhe të Shqipërisë: pse një standard i tillë nuk zbatohet për Olsi Ramën?
Në Tiranë, emri i vëllait të kryeministrit Edi Rama prej vitesh përflitet në korridoret e prokurorisë, në dosjet e homologëve gjermanë dhe në akuzat e opozitës. Por ndryshe nga Aco Đukanović, i cili tashmë përballet me drejtësinë, Olsi Rama vazhdon të mbetet një figurë të cilën SPAK-u duket se e shmang.
“Narko-makina” dhe dosja gjermane, ankthi i Olsit
Ajo që e bën krahasimin shqetësues pëër vëllain e kryeministrit janë dosjet konkrete që rëndojnë mbi të. Ashtu si Aco Gjukanoviq u bastis për armë dhe dokumentacion të dyshimtë, Olsi Rama ka përreth tij një atmosferë të rënduar nga dosjet penale, që në çdo vend tjetër do të kishin çuar në hetime të thelluara.
Më e rënda është Dosja Xibraka, një histori që lidh vëllain e kryeministrit me trafikun ndërkombëtar të drogës. Pavarësisht se SPAK-u e mbylli shpejt çështjen, provat e dokumentuara nga sistemet TIMS flasin vetë. Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, e ka thumbuar vazhdimisht qeverinë duke sjellë në vëmendje se “të dhënat zyrtare të sistemit TIMS dokumentojnë se ai ka përdorur të paktën 7 herë narkoautomjetin AA 653 DM për daljet e tij jashtë vendit gjatë periudhës kur ndërtohej laboratori i drogës në Xibrakë” .
Por nuk është vetëm Xibraka. Drejtësia gjermane e ka skeduar Olsi Ramën jo vetën për laboratorin e kokainës, por edhe për përfshirjen në rrjetin mashtrues ndërkombëtar “Milton Group”, një organizim call-center-sh që mashtronte qytetarë gjermanë . Emri i tij ndodhet në dosjet e Prokurorisë së Bambergut, dhe dëshmitë e të arrestuarve e cilësojnë atë si “shefin” faktik të këtij aktiviteti në Shqipëri .
Pyetja që ngrihet sot, pas arrestimit në Mal të Zi: Pse Aco Gjukanoviq u arrestua dhe Olsi Rama vazhdon të ecë i lirë, madje të marrë edhe role të reja drejtuese?
Në Mal të Zi, drejtësia veproi. Në Shqipëri, SPAK-u duket se ka një tjetër standard për familjen e kryeministrit. Pavarësisht se mediat raportojnë për dosjen gjermane, ku Olsi Rama rezulton i përfshirë në mashtrime milionëshe, dhe pavarësisht se opozita ka ngritur vazhdimisht zërin, Prokuroria e Posaçme vijon të mbajë qëndrimin se “nuk ka prova” .
Kjo “mungesë provash” bie ndesh me atë që raportohet nga prokuroritë evropiane. Një pjesë e medias së pavarur ka ngritur shqetësimin se SPAK-u e ka shpëtuar Olsi Ramën, duke mos e përfshirë në dosjen hetimore dhe duke ndërprerë hetimet që kishin nisur për rrjetin call-center .
Ankthi i Olsi Ramës nuk lidhet vetëm me të shkuarën, por edhe me të tashmen. Ndërsa vëllai i Gjukanoviçit përballet me drejtësinë për aferat e tij, në Tiranë, qeveria i jep klubit “Partizani”, që drejtohet nga Olsi Rama dhe Gaz Demi, një pasuri shtetërore prej 12.6 mijë metrash katrorë me qira simbolike 1 euro . Ky vendim i Këshillit të Ministrave, i marrë në janar 2026, tregon se klima e favorizimit dhe mosndëshkimit vazhdon të jetë e plotë.
Rasti i Malit të Zi tregon se drejtësia mund të jetë e barabartë për të gjithë, edhe kur ata mbajnë mbiemrin e një ish-presidenti. Shqipëria sot ndodhet përballë të njëjtit test. A do të vazhdojë Olsi Rama të mbetet ai njeri për të cilin “nuk ka prova”, apo drejtësia shqiptare do të tregojë se ka guximin të hapë dosjet që rëndojnë mbi të dhe t’i shkojë deri në fund të vërtetës?
Presioni publik tashmë është rritur. Ajo që ndodhi në Mal të Zi nuk është thjesht një lamë e huaj. Është një paralajmërim se asnjë vëlla i një politikani të fuqishëm nuk është mbi ligjin... /Pamfleti
sakte