
“Shtojca nr. 3” e kontratës koncesionare detyron qeverinë shqiptare të kompensojë 100% humbjet e të ardhurave për 10 vitet e para, duke i kthyer shqiptarët në garantë financiarë të biznesit privat...
Nëse Edi Rama nuk ka dorë në skenarin e rrëmbimit të koncesionit të Aeroportit të Vlorës, dokumentet e zbuluara tregojnë se ai ka firmosur një pazar të rëndë financiar me biznesmenin Behgjet Pacolli. Brenda kontratës koncesionare është futur një shtojcë specifike, “Shtojca nr. 3”, e cila detyron qeverinë shqiptare të paguajë plotësisht diferencën e të ardhurave të planifikuara nga kompania private, nëse aeroporti nuk arrin shifrat e pritshme gjatë 10 viteve të para. Pagesa duhet të kryhet brenda 30 ditëve, përndryshe shteti penalizohet me 5% interes për çdo vit vonese.

Pazari Rama–Pacolli shkon edhe më tej: kompania koncesionare mund të shlyejë detyrimet që ka ndaj shtetit përmes zbritjes së këtyre pagesave kompensuese. Sipas tabelës shoqëruese, Aeroporti i Vlorës parashikon 150 milionë euro të ardhura në 10 vitet e para, ndërsa shtetit shqiptar do t’i japë vetëm 2% të fitimit vjetor, të llogaritur sipas bilanceve që vetë Pacolli do të deklarojë.

Nëse të ardhurat reale bien nën pritshmëritë, qeveria shqiptare është e detyruar ta mbulojë diferencën me paratë e taksapaguesve. Kjo do të thotë që humbjet e kompanisë do të mbulohen nga buxheti i shtetit, ndërsa fitimet private mbeten të paprekura. Në një vend ku kontrolli i bilanceve tatimore bëhet nga vartës të kryeministrit, rreziku për raportim të qëllimshëm të humbjeve është i qartë.
Kontrata e Aeroportit të Vlorës, në formën që është nënshkruar, nuk është investim, por një skemë zhvatjeje të parave publike në favor të një biznesmeni me lidhje të errëta ndërkombëtare, të garantuar nga vetë kryeministri i vendit./Pamfleti
Lini një Përgjigje