TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 4 Gusht 2025, 10:12

Hipokrizia: Gjergj Luca i quan kolegët “gobsha”, ndërsa vetë ka ndërtuar perandori mbi tokën publike dhe po hyn në energjinë diellore

Shkruar nga Pamfleti

Me mbi 149 mijë m² prona shtetërore të marra me VKM dhe kontrata 1-euroshe, Luca nuk është më thjesht “mbret i peshkut”, por po hyn në sektorin strategjik të energjisë me një park fotovoltaik 40 MW në Elbasan

Hipokrizia: Gjergj Luca i quan kolegët “gobsha”, ndërsa

Ditët e fundit, Gjergj Luca publikoi një video ku shfaqet si profet i ndershmërisë në botën e biznesit shqiptar. Me ton qortues, fytyrë të vrerosur dhe gjuhë të drejtpërdrejtë, sulmoi kolegët e tij biznesmenë si të pangopur, si njerëz që nuk i përkushtohen kurrë një zanati të vetëm, që fusin hundët në çdo sektor dhe ndërtojnë kudo me çdo rast që u jepet. “Mos fusni hundët kudo, bëjeni një gjë dhe bëjeni mirë,” thotë Luca, duke shitur imazhin e një biznesmeni të devotshëm që ka mbetur besnik vetëm peshkut dhe agroturizmit.

Por të gjithë e dimë se ky është një rol i rremë. Një aktor që di të recitojë me emocion, por që jeton nga gënjeshtra sepse realiteti është krejt ndryshe: Gjergj Luca është sot një nga përfituesit më të mëdhenj të pronave shtetërore në Shqipëri, me një perandori që shtrihet nga rezervat e shtetit te repartet ushtarake, nga kombinatet industriale deri te energjia diellore; një sektor ku ai ka hyrë së fundmi.

Në fillim të këtij viti, kompania 'Rozafa', dorëzoi një aplikim formal pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e një parku fotovoltaik me kapacitet 40 MW në fshatin Shmil, të Elbasanit. Ky projekt, që ndodhet në fazë shqyrtimi, nuk është thjesht një zgjerim i aktivitetit, është një dëshmi konkrete se Gjergj Luca po hyn edhe në sektorin më strategjik të dekadës që vjen: energjinë. Këtë nuk e bën me eksperiencë teknike apo inovacion, por me të njëjtën formulë që ka ndjekur për vite: përmes tokave së marra nga shteti me VKM, përmes kontratave qiraje për 1 euro, përmes një strukture pasurimi të heshtur që ndërtohet mbi pasuri publike dhe lidhje politike.

Analiza e plotë e vendimeve të Këshillit të Ministrave tregon se vetëm përmes kompanisë ROZAFA, Gjergj Luca ka marrë në total 149,265.4 metra katrorë pasuri shtetërore, të përbëra nga ish-reparte ushtarake, rezerva shtetërore dhe asete industriale.

VKM nr. 873/2015 – i jep 52,613 m² në Labinot, nga pasuritë e rezervave të shtetit.
VKM nr. 266/2017 – i jep pjesën e mbetur të objekteve në të njëjtin kompleks shtetëror.
VKM nr. 526/2019 – i jep ish-repartin ushtarak në Çekrez, Gramsh (28,960 m²), për 20 vjet.
VKM nr. 701/2019 – i jep ish-parkun e minierës në Përrenjas (10,287 m²), për 20 vjet.
VKM nr. 394/2022 – i jep ndërtesat e ish-Kombinatit të Sheqerit në Maliq.
VKM nr. 376/2023 – privatizon pasurinë ushtarake në Gramsh me tarifë qesharake 1 euro.

Por një plan tjetër ambicioz është ai i parkut diellor në Shmil. Edhe pse ende nuk është miratuar, nëse përfiton lejen për ndërtim dhe shfrytëzim, ky park do të kërkojë një sipërfaqe prej rreth 400.000 m² (40 hektarë) tokë, që do të trefishonte menjëherë totalin e tokës që ai ka përfituar nga shteti deri më tani. Ky nuk është hjesht zgjerim i kompanisë ROZAFA por është një kalim i plotë nga oligark i tregut të peshkut, në aktor të rëndësishëm të energjisë kombëtare. Dhe të mendosh që këtë e bën, ndërsa në publik ofendon të tjerët si “gobsha që duan gjithçka”.

Ky është paradoksi më i vrazhdë i diskursit publik sot: njeriu që ngre gishtin kundër të tjerëve, duke i akuzuar për grykësi dhe mungesë përkushtimi, është në të vërtetë përfaqësuesi më agresiv i kapjes së gjithçkaje që është publike.

Gjergj Luca nuk është një njeri i një zanati të vetëm. Është një figurë që lëviz mes rolit të aktorit, të preferuarit të qeverisë, përfituesit të pasurive publike dhe tani; pretendenti për të kontrolluar sektorët strategjikë të së ardhmes, energjinë dielliore. Dhe ndërkohë që shfaqet si shembull i ndershmërisë, pas tij fshihen kontrata 1-euroshe, VKM të qepura me emër, prona shtetërore të futura në xhep dhe një aparat propagandistik që i shërben për të heshtur çdo kritikë. Kjo nuk është më ekonomi tregu por një monarki ekonomike në ndërtim. 

Luca nuk kontrollon më vetëm peshkun por ka vite që fut hundët kudo, madje sic thonë me zë të ulët edhe në korridoret e pushtetit, Luca i ka hyrë në pjesë jo vetëm biznesit dhe tokës publike, por edhe “çunave të së bardhës”. Dhe kjo e bën më të paprekshëm se çdo VKM. /Pamfleti

 

 

gjergj luca rozafa park fotovoltaik 40 mw shan kolegët

Lini një Përgjigje