Mos vallë, Edi Rama është ortak në këtë resort? Sepse për çdo pasuri që grabit Bashkim Ulaj, ai firmos vendime qeverie e leje ndërtimi me shpejtësi dhe vërsul policinë për të rrahur banorët që protesojnë…
Banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë po përballen me dhunë policore dhe arrestime, teksa protestojnë për të mbrojtur tokat e trashëguara ndër breza, të cilat po u merren për ndërtimin e resortit “Aba Blue Borgo” të oligarkut Bashkim Ulaj. Me vendim të qeverisë së Edi Ramës, Ulaj është shpallur “Investitor Strategjik” për 147 hektarë tokë private, ndërsa policia është vënë në shërbim të projektit, jo të ligjit. Ndërtimet kanë nisur pa leje, por në vend të ndëshkohet investitori, dhuna është ushtruar ndaj banorëve. Rasti i Rrjollit shënon një tjetër episod të grabitjes së pronës private me vendime politike dhe shkop gome, duke ngritur dyshime serioze për bashkëpunim mes pushtetit, policisë dhe oligarkëve.
Banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë i janë rikthyer protestave për të shpëtuar tokat e tyre, të cilat ua ka grabitur oligarku Bashkim Ulaj, me bekimin dhe mbështetjen zyrtare të kryeministrit Edi Rama.
Në shërbim të grabitësit Bashkim Ulaj, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka instaluar në atë fshat dhe ka vërsulur një garnizon me qindra forca policore, për të larguar me dhunë dhe prangosje banorët që po mbrojnë tokat e tyre të ligjshme, ku jetojnë prej shekujsh ndër breza.
Përballë këtij qëndrimi banditesk, shtrojmë dy pyetje logjike:
– A e ka shpërblyer oligarku Bashkim Ulaj kryepolicin Ilir Proda për dhunën policore që po ushtron ndaj banorëve të Baks-Rrjollit në Velipojë, të cilët po protestojnë për të mbrojtur tokat e tyre?
– Apo në resortin që do të ndërtohet atje është ortak Edi Rama, kryeministri që, në shkelje të ligjit, ka firmosur vendimet e qeverisë dhe të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe ka urdhëruar drejtuesit e Kadastrës të falsifikojnë dokumentet e tokave të banorëve?
Këtë e themi sepse, për çdo pasuri private që grabit oligarku Bashkim Ulaj, ai siguron vendime qeverie dhe leje ndërtimi me shpejtësi, ndërsa policia vërsulet për të rrahur dhe larguar banorët që protestojnë.
Kështu ka vepruar edhe me dhunën policore kundër banorëve që protestuan kundër TEC-it të Bashkim Ulajt në Roskovec, kundër banorëve të Bërxullës që protestuan për tokat e tyre në aksin Thumanë–Kashar, si dhe kundër HEC-eve dhe guroreve të Bashkim Ulajt në Valbonë, Mat, Mirditë, Dibër, Gjirokastër, Librazhd dhe Pogradec.
Vendimi i Edi Ramës që u grabit tokat banorëve të Rrjollit në Velipojë
Me Vendim nr. 875, datë 30 dhjetor 2024, kryeministri Edi Rama i dha oligarkut Bashkim Ulaj statusin “Investitor Strategjik” për ndërtimin e resortit në fshatin turistik “Aba Blue Borgo”, mbi 147 hektarë toka të ligjshme të banorëve të fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë.

Leja e ndërtimit iu dha më 15 janar 2026, ndërsa rrafshimin e tokës për ndërtimin e resortit oligarku Bashkim Ulaj e kishte nisur pa leje që në muajin mars 2025. Por policia, në vend që ta arrestonte për ndërtim pa leje, zaptim dhe shkatërrim prone, ushtroi dhunë ndaj banorëve që protestuan.
Projekti i resortit “Aba Blue Borgo” parashikon ndërtimin e 33 godinave banimi dhe shërbimi, me 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë.
Gjithashtu do të ketë një ndërtesë hoteliere me 3 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, si dhe tre godina social-kulturore me nga 3 kate mbi tokë./Pamfleti
Per fat te keq te shqiptareve drejtesia anon nga ana e qeverise SE korruptuar me ne krye edi ramen
Rrjollin eshte vendbanim, fshat i mrekullueshëm. Ka 20 vite qe si shqiptar i Kosoves e vizitoj Rrjollin. Mbroni Rrjollin, banoret meritojnë respekt e dinjitet. Mos ua shkelni rrënjët banorëve rrjollas. Te gjithe shqiptaret duhet ta përkrahin protesten e drejte te banoreve te Rrjollit.