Anti-Mafia21 Mars 2023, 11:48

Si po e pengon Edi Rama punën e BKH dhe SPAK: nuk dorëzon kodet e databaza-ve të Bankës, Doganave, Porteve, Tatimeve, Albcontrol...

Shkruar nga Pamfleti
Si po e pengon Edi Rama punën e BKH dhe SPAK: nuk dorëzon kodet e
Edi Rama

Kryeministri po lejon Drejtorinë e Parandalim Pastrimit të Parave, të Anti-Korrupsionit e Informacionit të Klasifikuar, të mos i dërgojnë raportet e plota e sistematike SPAK-ut e BKH-së, megjithëse e kanë detyrim ligjor si struktura partnere; madje as SHISH nuk u dërgon informacione, prej 6 muajsh që drejtohet nga këshilltari i tij Oljan Kanushi

Pas 2 vitesh pengesa, qeveria shqiptare e detyruar nga SHBA-BE, ka zbatuar Ligjin nr. 154/2020, datë 17.12.2020, duke i dhënë BKH-së e SPAK-ut, të drejtën e aksesit për të hyrë në të dhënat konfidenciale të “Databaza”-ve të 21 institucioneve e shërbimeve, pa marrë leje prej tyre.

Më 24 korrik 2021, “Pamfleti” publikoi shkrimin: “Bllokohet verifikimi i llogarive të bosëve të politikës, biznesit e krimit; SPAK e BKH po sillen vërdallë”; duke u mbështetur në faktin se kryeministri Rama nuk lejonte aksesin ligjor të BKH e SPAK-ut në të dhënat për hetime.

Dy ditë më parë, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se qysh prej muajit shtator 2022, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorët e SPAK, kanë akses në të dhënat konfidenciale të disa institucioneve dhe shërbimeve shtetërore e private.

I imponuar nga partnerët e SHBA-BE, kryeministri Edi Rama u detyrua t’i jepte BKH e SPAK-ut, “çelësat” e hyrjes pa leje, pa filtër e pa ndërmjetës në Databaza-t shtetërore e bankat private, si e vetmja mundësi për të mos penguar dhe dekonspiruar hetimet.

Në zbatim të këtij ligji e ultimatumi të SHBA-BE, referuar modelit të FBI, qeveria shqiptare miratoi VKM nr. 415, datë 8 korrik 2021 “Për rregullat e aksesit dhe marrjes së informacionit konfidencial në Regjistrin Qendror të Llogarive Bankare e Databaza-ve për qëllime hetimi”.

Deri tani, BKH e SPAK kanë akses pa marrë leje nga burimet poseduese, për të hyrë në të dhënat e Gjendjes Civile, Burgjeve, Kadastrës, bankave private, sistemin TIMS, shërbimet speciale të Policisë, në shërbim noterial, përmbarimor e disa sektorë të tjerë.

Por kryeministri Edi Rama, megjithëse e detyron Ligji nr. 154/2020, datë 17.12.2020 dhe VKM nr. 415, datë 8 korrik 2021, vazhdon pengon hetimet për korrupsionin, krimin, kontrabandën e trafiqet, duke mos i dhënë BKH-së e SPAK-ut, “çelësat” e Databaza-ve të Bankës së Shtetit, Doganave, Tatimeve, Bursës, Albpetrol, Albcontrol, Aviacionit Civil, Porteve Detare e IDKPI.

Po kështu, lejon Drejtorinë e Parandalim Pastrimit të Parave, Drejtorinë e Anti-Korrupsionit dhe Drejtorinë e Informacionit të Klasifikuar, të mos dërgojnë raportet e plota e sistematike në SPAK e BKH, megjithëse e kanë detyrim ligjor si struktura palë partnere.

Madje prej 5 muajsh, qysh kur Edi Rama emëroi drejtor këshilltarin e tij Oljan Kanushi, as SHISH nuk i dërgon informacione SPAK-ut e BKH-së, megjithëse i kërkojnë për raste hetimi zyrtarësh, biznesmenësh, grupesh të organizuara kriminale e trafikantësh./Pamfleti

edi rama spak bkh banka dogana tatime albcontroll