
Provë tjetër për prokurorët e SPAK, të cilët nuk po e prangosin Drejtorin Korporatës Elektro-Energjetike, megjithëse përveç kallëzimit penal për 378 milionë Euro korrupsion e vjedhje të audituara nga KLSH kur ishte Drejtor i Rrugëve, i ka dhe dosjen e kallëzimeve për 590 milionë Euro me tenderët e HEV-ve dhe shit-blerjen e energjisë
Meqë shefat e drejtësisë nuk po e prangosin, madje as nuk po e hetojnë, ose e hetojnë “privatisht” si presion për t’i marrë “llokma” ryshfeti; Drejtori i KESH, Ergys Verdho, ka bërë pazarin e radhës me një tender 2.4 milionë Euro për mirëmbajtje makinash.
Në këtë tender, Verdho ka përdorur një hile tipike prej hajduti, për të fshehur vjedhjen e 1.6 milionë Euro, për gjoja mirëmbajtjen e automjeteve të KESH, duke luajtur me dy variante ofertash, vlerësimi e vlerë kontrate, të cilën e ka lënë të hapur si gjoja vazhdimësi procedure.
Konkretisht, ai ka përdorur dy vlera fondi limit dhe dy vlera kontrate:
1. Vlerën 800 mijë Euro me TVSH në masën 100% të fondit limit, që i ka dhënë realisht firmës së vetme që ishte në garë, të quajtur “Alstezo” nga Fieri me pronar sponsorin e PS dhe mikun e kryebashkiakut Armando Subashi.
2. Vlerën 2.4 milionë Euro me TVSH në masën 100% të fondit limit, deklaruar si përmbledhëse të çmimeve totale për njësi shërbimi, që ka shpallur sikur e ka dhënë realisht.
Sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, kjo është vjedhje e sajuar me paramendim, mbasi vlera e fondit, për të cilën ka marrë pjesë firma e shpallur fituese pa rival në tender është 800 mijë Euro; dhe drejtori nuk ka pse përdor vlerën tjetër 2.4 milionë Euro.
Por e ka bërë këtë hile, me qëllim që nga vlera totale, të vjedh 1.6 milionë Euro, ndërkohë që firmës i ka dhënë 800 mijë Euro me letra publike dhe më pas, gjoja si vazhdim kontrate të firmosen letrat për vlerën totale 2.4 milionë Euro.
Nëse anti-krimi ekonomik, ose shefat e SPAK do ndalen te ky tender, do konstatojnë atë që po denoncon “Pamfleti” dhe atë që thonë ekspertët, se Drejtori i KESH, Ergys Verdho ka organizuar dhe realizuar skemë vjedhje sa dyfishi i vlerës së kontratës.
Kujtojmë, që edhe ky shpenzim për mirëmbajtje makinash, është abuzim, mbasi KESH e ka një kontratë për mirëmbajtje automjetesh deri në muajin dhjetor 2025, po me firmën “Alstezo” nga Fieri, sponsore e aktiviteteve dhe fushatave të PS.
Kjo vjedhje, është provë tjetër për prokurorët e SPAK, të cilët nuk po e prangosin Drejtorin e KESH, Ergys Verdho, megjithëse përveç kallëzimit penal për 378 milionë Euro korrupsion kur ishte Drejtor i Rrugëve, i ka dhe dosjen e kallëzimeve për 590 milionë Euro me tenderët e HEC-ve dhe shit-blerjen e energjisë./Pamfleti