
Një tjetër banesë po ngrihet pa leje, mu në mes të ditës, mbi truall publik, duke sfiduar ligjin dhe qytetarët që respektojnë rregullat.
Ky është jo vetëm një veprim i paligjshëm që përbën vepër penale, por edhe një shembull i qartë i dështimit të strukturave të mbikëqyrjes, në veçanti të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Sarandë.
Burime të ndryshme dyshojnë se shefi i IMT Sarandë, Nasip Hoxha, është i përfshirë në korrupsion, çka shpjegon edhe mungesën e ndërhyrjes në kohë për ndalimin e ndërtimit të kësaj ndërtese.
Denoncimi është bërë nga Infront Albania, e cila ka publikuar edhe videon e rradhës. Sipas denoncimit, kur institucioni që duhet të ndalojë shkeljen është vetë palë në shkelje, ligji bëhet fasadë dhe abuzimi normë.
“Ky nuk është thjesht një ndërtim pa leje. Është një fyerje ndaj qytetarëve që ndjekin rregullat, ndaj shtetit të së drejtës dhe ndaj çdo përpjekjeje për të mbrojtur hapësirat publike.
Kërkohet hetim i menjëhershëm nga organet ligjzbatuese dhe ndërhyrje serioze nga bashkia dhe institucionet e mbikëqyrjes. Saranda nuk mund të mbetet nën sundimin e informalitetit me bekimin e zyrtarëve të korruptuar”, thuhet në denoncimin e Infront Albania.
Lini një Përgjigje