SPAK ka reaguar ekskluzivisht për “Pamfletin”, lidhur me hetimet ndaj pushtetarëve për fshehje pasurie...
Publikimi i listave të kandidatëve ka ndezur debatet në politikën shqiptare. Shumë deputetë do të mbeten jashtë Kuvendit, teksa shumë të tjerë kanë bërë një betejë shumë të fortë për të gjetur një vend te lista e mbyllur. Por pse të gjithë duan të bëhen deputetë?
Arsyeja nuk është vetëm rroga. Sigurisht ata marrin një pagë shumë herë më të lartë se çdo familje shqiptare (3 mijë euro në muaj). Por ka shumë elementë të tjerë që fshihen. Kemi shumë deputetë që kanë marrë leje ndërtimi, kanë përfituar favore nga më të ndryshmet. Mjafton të hedhim një sy te deklarimet që kanë bërë në ILDKP dhe nuk ka një deputet që të ketë dalë nga aty me pasuri modeste. Ka shumë që kanë hyrë me një apartament 1+1 dhe kanë dalë me vila, disa prona, ullishte, ara, makina luksi etj. Shumë i kamuflojnë në emër të partnerëve dhe familjarëve.
Për të mos shkuar larg, mjafton të shohim pasuritë që deklarojnë Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta apo Lulzim Basha dhe e kuptojmë fare mirë se sa të pasuron politika. Mos harrojmë se vetëm një zyrtare shteti si Alda Klosi u kap me 500 mijë euro në banesë, imagjino ministrat dhe të tjerët.
“Pamfleti” ju drejtua me një shkresë Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar informacion zyrtar nëse ka nisur hetim për fshehje pasurie për ndonjë politikan apo jo. Edhe pse me vonesë, SPAK në përgjigjen e tij bën me dije se vetëm gjatë vitit që lamë pas, janë regjistruar procedime penale për 15 funksionarë shtetërorë.
“Nga SPAK, për periudhën 01.01.2024 - 31.12.2024 janë regjistruar 15 procedime penale për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, i K.Penal”, njofton SPAK.
Edhe pse nuk jepen emra, sinjalet janë se kemi të bëjmë me personalitete të rëndësishme. Kemi disa deputetë nga PD që janë nën hetim për fshehje pasurie, si Asllan Dogjani, Luan Baçi apo Flamur Noka. Por ka dhe disa nga radhët e PS dhe madje emra të rëndësishëm. Tani duhet të shohim nëse SPAK do i dërgojë të gjithë para drejtësisë, apo do të ndryshojnë gjërat rrugës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje