Andriy Parubiy, ish-kryetari i parlamentit të Ukrainës, është qëlluar për vdekje rreth mesditës në Lviv. Mediat ukrainase thonë se oficerët e zbatimit të ligjit morën një telefonatë për të shtëna me armë zjarri në lagjen Sykhiv të qytetit më të madh në perëndim të vendit.
“Viktima vdiq në vend si pasojë e plagëve të marra. I ndjeri është një figurë e njohur publike dhe politike i lindur në vitin 1971”, thuhet në raportin e policisë, që sqaron se po merren të gjitha masat për të identifikuar autorin e sulmit dhe vendndodhjen e tij.
Parubiy, 54 vjeç, ishte anëtar i Parlamentit dhe kishte shërbyer si kryetar i tij nga prilli 2016 deri në gusht 2019, dhe ishte një nga udhëheqësit e protestave të viteve 2013–14 që kërkonin lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian.
Ai gjithashtu kishte qenë sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës nga shkurti deri në gusht 2014, në periudhën kur nisi lufta në lindje të vendit dhe Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë.
Në vitin 2016, ai u zgjodh kryetar i parlamentit, në vend të Volodymyr Groysman, që mori pozicionin e kryeministrit. Rreth asaj kohe, ka patur edhe një tentative tjetër vrasjeje ndaj Parubiy me granatë dore.Më vonë, Ministria e Punëve të Brendshme raportoi se atentati ishte përgatitur nga një punonjës i Shërbimit të Sigurisë së Personelit (UDO) nga koha e ish-presidentit ukrainas, Viktor Yanukovychit.
Zyrtarët nuk treguan nëse vrasja lidhet drejtpërdrejt me luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Ministri i Punëve të Brendshme Ihor Klymenko dhe prokurori i Përgjithshëm Ruslan Kravçenko sapo raportuan për rrethanat e para të një vrasjeje të tmerrshme në Lviv. Andriy Parubiy është vrarë”, shkroi presidenti Volodymyr Zelensky në X.
Zelensky i shprehu ngushëllime familjes dhe të afërmve të Parubiyt, duke shtuar: “Të gjitha forcat dhe mjetet e nevojshme janë angazhuar për hetimin dhe kërkimin e vrasësit”.
Policia kombëtare tha se të shtënat në Lviv u raportuan rreth mesditës. Kryebashkiaku i Lvivit, Andriy Sadovyi, deklaroi se gjetja e autorit dhe zbardhja e rrethanave të sulmit janë me rëndësi jetike.
“Kjo është një çështje sigurie në një vend që ndodhet në luftë, ku, siç shohim, nuk ka vende plotësisht të sigurta”, shkroi ai në Telegram.
Lini një Përgjigje