Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 25 korrikut në Kurbin, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 22-vjeçar. Si autor i dyshuar është shpallur në kërkim Klodjan Ndoj, 47 vjeç, banues në Sanxhak.
Sipas hetimeve paraprake, 47-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në këmbë 22-vjeçarin Veron Pasha. I riu mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia bën me dije se, pas plagosjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes, pasi i ka marrë 22-vjeçarit automjetin nën kërcënimin e armës.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar dy gëzhoja, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e 47-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
"Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur më datë 25.07.2026, bazuar në provat e siguruara, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Komisariatit të Policisë Kurbin, identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasin K. N., 47 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, i dyshuar si autor i plagosjes me armë zjarri të shtetasit V. P., 22 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet hetimore rezultoi se autori, pas plagosjes, është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i marrë 22-vjeçarit, nën kërcënimin e armës, automjetin. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 gëzhoja. Punohet intensivisht për kapjen e autorit dhe gjetjen e automjetit të 22-vjeçarit. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprat penale "Plagosja e rëndë me dashje", "Vjedhja me armë" dhe "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.”, njofton policia.
Lini një Përgjigje