Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur akuza ndaj qeverisë shqiptare gjatë takimit të përbashkët BE-Shqipëri në Parlamentin Europian, duke deklaruar se në vend vijojnë të ekzistojnë probleme me shtetin e së drejtës, pavarësinë e institucioneve dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Në fjalën e tij para eurodeputetëve, Bardhi tha se çështja kryesore për Shqipërinë mbetet zbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë, duke theksuar se prova e vërtetë e shtetit ligjor vjen kur institucionet duhet të veprojnë ndaj pushtetit.
“A është ligji më i fortë se pushteti? Ligjet mund të shkruhen mirë. Por prova e tyre e vërtetë vjen në momentin kur duhet të veprojnë ndaj vetë pushtetit. Pikërisht aty kuptohet nëse shteti i së drejtës është real, apo vetëm formal.”, tha Bardhi.
Në vijim të fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar të PD-së u ndal te lufta kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Ai pretendoi se dy urdhër-arreste të rëndësishme ndaj personave të lidhur me botën e krimit mbeten ende të paekzekutuara, pavarësisht se, sipas tij, vendndodhja e tyre dihet.
Bardhi ngriti gjithashtu shqetësime për fenomenin e pastrimit të parave, duke pretenduar se hetimet e autoriteteve ligjzbatuese në Belgjikë, Holandë, Itali, Gjermani dhe Francë kanë zbuluar organizata shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës që investojnë fitimet e tyre në Shqipëri, kryesisht në sektorët e ndërtimit dhe turizmit.
Sipas Bardhit, opozita kishte kërkuar zhvillimin e një interpelance me Kryeministrin lidhur me çështjen e pastrimit të parave në sektorët e ndërtimit dhe turizmit, si edhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, por të dyja kërkesat, sipas tij, janë refuzuar.
Fjala e plotë:
Kur flasim për të drejtat themelore, shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në fakt po përpiqemi t’i japim përgjigje një pyetjeje themelore:
A është ligji më i fortë se pushteti? Ligjet mund të shkruhen mirë. Por prova e tyre e vërtetë vjen në momentin kur duhet të veprojnë ndaj vetë pushtetit. Pikërisht aty kuptohet nëse shteti i së drejtës është real, apo vetëm formal.
Rasti i dytë lidhet me luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Dy nga urdhër-arrestet më të rëndësishme për krimin e organizuar në Shqipëri, ai ndaj drejtuesit të bandës së Elbasanit dhe ai ndaj personit që konsiderohej koordinatori jozyrtar i Kryeministrit, mbeten ende të paekzekutuara. Vendndodhja e tyre është prej kohësh sekret publik në zemër të Shqipërisë, por policia nuk i gjen. Kjo është e vështirë të shpjegohet me mungesë informacioni. Ajo ushqen bindjen se ligji ndalet aty ku fillon interesi politik i pushtetit.
Po aq shqetësues është fenomeni i pastrimit të parave. Hetimet e autoriteteve ligjzbatuese në Belgjikë, Hollandë, Itali, Gjermani dhe Francë kanë zbuluar organizata shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës që investojnë fitimet e tyre në Shqipëri, përmes projekteve në ndërtim dhe turizëm. Investime që nuk mund të realizohen pa vendimmarrjen dhe miratimin e qeverisë shqiptare.
Po citoj dosjen më të fundit të Prokurorisë së Posaçme shqiptare kundër krimit të organizuar, SPAK: provat e ardhura nga autoritetet belge kanë dokumentuar me pamje filmike takime të funksionarëve të lartë shtetërorë shqiptarë me persona të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Sipas së njëjtës dosje, në këto takime diskutohet përdorimi i pasurive të paluajtshme dhe investimeve në ndërtim e turizëm për pastrimin e të ardhurave nga trafiku i kokainës.
Edhe përpara se ky fakt tronditës të bëhej publik, opozita kishte kërkuar interpelancë me Kryeministrin për çështjen e pastrimit të parave nga krimi i organizuar dhe korrupsioni në ndërtim dhe turizëm. Kryeministri refuzoi të paraqitej në Parlament.
Kërkuam ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Edhe ai u refuzua.
Të gjitha këto raste çojnë te e njëjta pyetje: a zbatohet ligji njësoj edhe ndaj pushtetit, apo pikërisht aty ai pushon së vepruari? Sepse kjo është prova e vërtetë e shtetit të së drejtës.
Të nderuar kolegë. Fatkeqësisht, Shqipëria ende nuk e ka kaluar plotësisht provën më të vështirë të shtetit të së drejtës: që ligji të jetë njësoj i fortë për të gjithë dhe të mos bëhet më i dobët sa herë që përballet me pushtetin.
Lini një Përgjigje