TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Korrik 2026, 12:09

Debate në GJKKO për dosjen Meta-Kryemadhi, avokati: Çështja është politike, jo penale

Shkruar nga Pamfleti
Debate në GJKKO për dosjen Meta-Kryemadhi, avokati:
Kryemadhi

Avokati i Monika Kryemadhit, Redi Llanaj, paraqiti në Gjykatën e Posaçme kundërshtimet e mbrojtjes ndaj akuzave të ngritura nga SPAK për ish-deputeten, duke argumentuar se çështja nuk mbështetet në prova penale dhe se hetimi, sipas tij, ka prapavijë politike.

Gjatë seancës, Llanaj deklaroi se edhe vetë Prokuroria e Posaçme pranon se blerja e vilës nuk lidhet me korrupsionin.

“Vetë SPAK pranon se blerja e vilës nuk ka korrupsion. Kjo çështje nuk është juridike, por politike. Këtu nuk ka fakt penal. Prokurori është kthyer në një vegël”, u shpreh avokati.

Pas kësaj deklarate ndërhyri gjyqtari Erion Bani, i cili i kërkoi avokatit të ruante solemnitetin e seancës dhe të shmangte përdorimin e termave që mund të cenonin institucionin e drejtësisë.

Në përgjigje, Llanaj sqaroi se fjala “vegël” nuk ishte përdorur në kuptim fyes, por si sinonim i fjalës “instrument”.

Më tej, mbrojtja kërkoi që të kryhet një akt-ekspertim i ri kontabël për të ardhurat ndër vite të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, duke kundërshtuar ekspertizën financiare të administruar nga SPAK. Sipas avokatit, ekspertiza ekzistuese është e njëanshme dhe, për këtë arsye, duhet të konsiderohet e pavlefshme.

“Ne kemi paraqitur një akt-ekspertim që e kundërshton këtë akt. Ky është momenti për të caktuar një ekspert të pavarur ose një grup ekspertësh, pasi bëhet fjalë për një provë thelbësore”, deklaroi Llanaj.

Mbrojtja kërkoi gjithashtu që të merret në pyetje, përmes letërporosisë, Adrian Shatku, duke argumentuar se dëshmia e tij mund të ndihmojë në sqarimin e rolit të Monika Kryemadhit në një marrëveshje mes kompanisë UNIFI.

Sipas avokatit, Shatku mund të japë sqarime mbi mënyrën se si është njohur me Kryemadhin, si ka nisur bashkëpunimi dhe nëse ish-deputetja ka pasur ndonjë kompetencë apo rol në negociimin e kësaj kontrate.

Sipas Prokurorisë, komunikimet e gjetura në telefonin e Monika Kryemadhit tregojnë se ajo dhe Ilir Meta janë angazhuar për të ndihmuar në realizimin e kësaj marrëveshjeje. 

Për këtë arsye, mbrojtja kërkoi edhe dëshminë e një shtetasi afrikano-jugor, i cili, sipas avokatit, mund të sqarojë nëse Kryemadhi ka pasur një rol real në këtë proces.

Redi Llanaj kërkoi gjithashtu që gjatë procesit të merren në pyetje edhe disa persona të tjerë, mes tyre Esmeralda Shkjau, Vali Bizhga, kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, si edhe deputetë që kanë propozuar ndryshime në ligjin nr. 134/2014.

Sipas mbrojtjes, këto dëshmi janë të domosdoshme për të sqaruar rrethanat e çështjes dhe për të kundërshtuar pretendimet e ngritura nga SPAK.

Lini një Përgjigje