TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Mars 2026, 07:32

A mund t'i mbijetojë regjimi i Iranit luftës? Lindja e Mesme si rënia e Bashkimit Sovjetik

Shkruar nga Pamfleti

A mund t'i mbijetojë regjimi i Iranit luftës? Lindja e Mesme si

Një Iran i thellësisht i dobësuar nuk do të frikësojë dhe as do të kërcënojë më fqinjët e tij në të njëjtën mënyrë. Ndikimi rajonal mund të jetë i krahasueshëm me rënien e Bashkimit Sovjetik…

Udhëheqësi suprem i Iranit mund të jetë i vdekur, por do të ketë një të ri. Komandantët ushtarakë të vrarë do të zëvendësohen. Një sistem qeverisjeje i ndërtuar gjatë 47 viteve nuk do të shpërbëhet lehtësisht vetëm nga fuqia ajrore. Irani ruan aftësinë për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite, ndërsa rrjedha e luftës mbetet e paqartë.

Por Republika Islamike, tashmë e dobësuar dhe jopopullore, është reduktuar edhe më tej, me pushtetin e saj brenda vendit dhe në rajon në një nga nivelet më të ulëta që nga momenti kur udhëheqësit e saj morën pushtetin gjatë revolucionit që rrëzoi shahun e mbështetur nga SHBA në vitet 1978-79.

Edhe nëse regjimi nuk bie, çka mbetet objektiv i deklaruar i presidentit Trump, kjo ofensivë masive ka gjasa të ketë pasoja strategjike në Lindjen e Mesme të krahasueshme me rënien e Bashkimit Sovjetik. Ajatollah Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i vrarë të shtunën në mëngjes, mbajti një rivalitet të fortë me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat i quante vazhdimisht “Satani i Madh”.

Ai krijoi dhe financoi një rrjet rajonal milicish që rrethonin Izraelin dhe ndanin armiqësinë e tij ndaj tij. Hezbollah në Liban, Hamas dhe Xhihadi Islamik në Gaza dhe në Bregun Perëndimor, Huthit në Jemen, të gjithë shërbenin si për të sulmuar interesat izraelite ashtu edhe për të mbrojtur vetë Iranin.

Irani zhvilloi programin e tij raketor dhe pasuroi uranium deri në nivele pranë kapacitetit për armë, megjithëse mohoi se synonte të ndërtonte një bombë. Ai u shndërrua në një fuqi rajonale aq të fortë sa udhëheqësit sunitë në Arabinë Saudite, Egjipt dhe vendet e Gjirit u përpoqën të ruanin marrëdhënie të mira me një regjim islamik shiit që i kërcënonte edhe ata.

Rënia e Iranit nisi dy vite më parë, me përgjigjen e ashpër dhe të zgjatur të Izraelit ndaj një inkursioni të Hamasit nga Gaza. Ajo u përshpejtua kur Izraeli dobësoi mbrojtjen ajrore të Iranit, mposhti Hezbollahun dhe përfitoi nga revolucioni sirian që rrëzoi Bashar al-Assad, një tjetër aleat të Teheranit. Por tani, me vdekjen e ajatollahut dhe shkatërrimin e madh nga ajri, ndikimi rajonal i Iranit është tkurrur edhe më tej, me pasoja të pasigurta që mund të shfaqen në muaj apo edhe vite.

“Republika Islamike siç e njohim nuk do t’i mbijetojë kësaj”, deklaroi Sanam Vakil, drejtuese e Programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Chatham House, një institut kërkimor me bazë në Londër. “Lindja e Mesme nuk do të jetë më e njëjta”, tha ajo. “Për 47 vite Lindja e Mesme ka jetuar me një regjim armiqësor dhe një forcë destabilizuese që fillimisht u përpoq ta izolojë dhe më pas ta menaxhojë.”

Tani, tha ajo, regjimi mund të shpërbëhet dhe të dalë diçka e re dhe e ndryshme. Kjo udhëheqje mund të rezultojë edhe më pak miqësore ndaj Uashingtonit, veçanërisht nëse dominohet nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike.

Kushdo që të marrë drejtimin, Irani do të jetë seriozisht i dobësuar në afatmesëm, më i përqendruar te konkurrenca politike, siguria e brendshme dhe kaosi ekonomik, tha Vakil. Megjithatë, në ditët në vijim, Irani mund të shkaktojë më shumë kaos afatshkurtër, ndërsa udhëheqja aktuale përpiqet t’i japë fund luftës duke shpëtuar regjimin.

Irani do të përpiqet të rrisë shpejt koston për Izraelin, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Gjirin Persik “për t’i detyruar të tërhiqen para se të arrijnë të destabilizojnë regjimin”, deklaroi Ellie Geranmayeh, zëvendësdrejtuese e Programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Rritja e sulmeve ndaj vendeve arabe të Gjirit është e rrezikshme, por mund të jetë mundësia më e mirë e Iranit për ta shkurtuar luftën, pasi mund ta shtyjë botën arabe të ushtrojë presion ndaj SHBA-së dhe Izraelit për t’i dhënë fund fushatës së tyre. “Qëllimi i Iranit tani është të përthithë sulmet e SHBA-së dhe Izraelit, të ruajë pozicionin e tij, të sinjalizojë zgjerimin e luftës dhe të presë që aktorët rajonalë të shqetësuar të ndërmjetësojnë për një armëpushim”, shkroi në rrjetet sociale Vali Nasr, ekspert për Iranin në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare Johns Hopkins në Uashington.

“Ata presin që nëse Trump nuk arrin një fitore të shpejtë, ai do të kërkojë një dalje, dhe më pas negociatat do të jenë ndryshe”.

Aleatët e Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme mund të mbrojnë gjithashtu Teheranin, duke rritur koston e një lufte të zgjatur, sipas Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në International Crisis Group.

Nëse Hezbollahu përfshihet plotësisht nga Libani, nëse milicitë sulmojnë bazat amerikane në Irak dhe Siri, ose nëse Huthit përshkallëzojnë sulmet në Detin e Kuq, konflikti pushon së qeni dypalësh dhe shndërrohet në një luftë rajonale që shtrihet në të gjithë Lindjen e Mesme, thonë analistët. Një luftë më e gjerë do të kishte ndikim të madh afatgjatë në çmimet e naftës dhe inflacionin, veçanërisht nëse Irani arrin të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe ndërkombëtare e transportit detar.

Por në afat të gjatë, një Iran i zhytur në problemet e veta të brendshme, duke u përpjekur të shmangë fragmentimin e elitave dhe të konsolidojë një udhëheqje të re, apo edhe të lëvizë drejt një sistemi më konsultativ me më pak ndikim nga klerikët dhe me shpërndarje më të madhe të pushtetit, nuk do të ketë energjinë apo burimet për t’u përfshirë në rajon. Kjo mund të hapë mundësi të reja për Libanin dhe palestinezët, siç ka ndodhur tashmë për Sirinë.

Kjo do ta forconte edhe më shumë Izraelin, duke e bërë një fuqi edhe më të madhe në rajon, një realitet që kombet sunite duhet ta pranojnë. Një qeveri e re dhe më e moderuar mund të marrë detyrën në Izrael pas zgjedhjeve më vonë këtë vit. Me Iranin në mbrojtje, ajo mund të ndiejë se ka mandatin për të konsoliduar armëpushimin në Gaza dhe për të negociuar seriozisht me palestinezët, nën presionin e Uashingtonit dhe sauditëve.

Vetë Izraeli do të preferonte një ndryshim regjimi, siç e ka bërë të qartë kryeministri Benjamin Netanyahu, por do të ishte i kënaqur, thonë analistët, edhe me një Iran të përçarë, të shpërbërë dhe kaotik, të përqendruar në problemet e veta, siç është tani Siria.

Një qeveri e re iraniane do të duhet të përballet me një Izrael të fuqishëm dhe me një SHBA të cilës nuk mund t’i besojë. Regjimi aktual e ka bërë pasurimin bërthamor element thelbësor të përpjekjeve për të konsoliduar fuqinë dhe parandalimin rajonal. Ai ka refuzuar të ndryshojë kurs, edhe kur kjo këmbëngulje duket se e ka afruar më shumë me shkatërrimin se çdo politikë tjetër, qoftë mbështetja e terrorizmit jashtë vendit apo shtypja masive brenda vendit.

Nuk është e qartë nëse edhe një qeveri më e moderuar do të bënte lëshime të reja për programin e saj bërthamor nën presionin e luftës. Nuk është gjithashtu e qartë nëse ndonjë udhëheqës iranian do të ndjehej në gjendje t’i besonte presidentit Trump, i cili u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e presidentit Obama në vitin 2018 dhe tani ka bombarduar Iranin dy herë gjatë negociatave në vazhdim.

A do ta konsideronte Teherani të domosdoshme të tërhiqej në çështjen bërthamore për të mbijetuar? Apo, nëse shfaqet një qeveri më e ashpër dhe e dominuar nga siguria, do të përpiqet të ecë drejt sigurimit të armëve bërthamore, më e bindur se kurrë për nevojën e tyre?

Pavarësisht shtypjes së ashpër të protestuesve iranianë në janar, që la mijëra të vrarë, presidenti Trump vazhdon të inkurajojë popullin iranian të ngrihet për të rrëzuar regjimin.

“Bombat do të bien kudo”, tha ai, duke shtuar “kur të mbarojmë, merrni qeverinë tuaj. Do të jetë e juaja.”

Por kjo mund të mos ndodhë aq lehtë apo pastër, vuri në dukje Ivo H. Daalder, ish-ambasador amerikan në NATO. Në shkurt 1991, gjatë Luftës së Parë të Gjirit, presidenti George Bush u bëri një thirrje të ngjashme irakianëve për t’u ngritur dhe për të rrëzuar Saddam Husseinin. “Ata u ngritën”, theksoi Daalder, “dhe SHBA qëndroi duarkryq ndërsa forcat e sigurisë së Saddamit i masakruan në numër të madh.” /Përshtatur nga New York Times/

 

Lini një Përgjigje