Operacioni "Liria", SHBA dhe Irani shkëmbjenë zjarr në Hormuz...
Përplasjet në Ngushticën e Hormuzit po marrin një dimension të ri ushtarak, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë drejtpërdrejt për të garantuar lirinë e lundrimit në këtë korridor strategjik.
Komanda Qendrore amerikane njoftoi se forcat e saj kanë shkatërruar gjashtë varka të vogla iraniane dhe kanë interceptuar raketa lundruese si edhe dronë të lëshuar nga Irani.
Admirali Brad Cooper deklaroi se rreth 15 mijë ushtarakë amerikanë janë përfshirë në operacionin “Project Freedom”, të nisur nga administrata Trump me qëllim rivendosjen e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Ai deklaroi se qëllimi kryesor është ruajtja e sigurisë në një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, ndërsa paralajmëroi forcat iraniane të qëndrojnë larg mjeteve ushtarake amerikane për të shmangur një përshkallëzim të drejtpërdrejtë.
Në të njëjtën kohë, ai konfirmoi se bllokada amerikane ndaj Iranit mbetet në fuqi, duke kufizuar hyrje-daljet detare drejt territorit iranian. Sipas tij, kjo masë po rezulton më efektive nga sa ishte parashikuar fillimisht.
Sipas Cooper, sulmet me raketa dhe dronë janë kryer nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit, të cilat, sipas tij, po përpiqen të pengojnë misionin amerikan për zhbllokimin e kësaj rruge strategjike detare.
Gjenerali amerikan paralajmëroi gjithashtu forcat iraniane, duke i “këshilluar fuqimisht” që të qëndrojnë larg mjeteve ushtarake të SHBA-së. Ai shtoi se bllokada detare e vendosur nga SHBA ndaj Iranit mbetet në fuqi, por nuk komentoi nëse ngjarjet e mëngjesit të së hënës përbëjnë shkelje të armëpushimit.
Zhvillimet vijnë në një moment tensioni të lartë në rajon, pas sulmeve ndaj anijeve dhe infrastrukturës energjetike në Gjirin Persik, si dhe paralajmërimeve të Iranit për goditje ndaj çdo pranie ushtarake në zonë.
Përshkallëzimi i fundit në Hormuz rrit ndjeshëm rrezikun e një përplasjeje më të gjerë, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e furnizimeve globale me energji dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Rendohet, jo "agravon"..Ju te shtypit jeni vrasesit e gjuhes Shqipe duke bere sikur njihni gjuhen e huaj