Trump deklaroi se SHBA do të ndërpresë çdo marrëdhënie tregtare me Madridin...
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ashpërsoi tonin ndaj aleatëve evropianë gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kancelarin gjerman Friedrich Merz, duke kritikuar publikisht Britaninë e Madhe dhe Spanjën për qëndrimin e tyre lidhur me operacionet ushtarake kundër Iranit.
Në fillim të takimit, Trump deklaroi se kapacitetet ushtarake të Iranit janë shkatërruar në masë të madhe. “Nuk kanë më marinë, është shkatërruar. Nuk kanë më forcë ajrore, nuk kanë më mbrojtje ajrore. Pothuajse gjithçka është shkatërruar”, tha ai, duke lavdëruar ushtrinë amerikane për atë që e quajti “punë fantastike”.
Presidenti shpjegoi se vendosi të ndërmarrë sulmet pasi besonte se Irani ishte gati të vepronte i pari. “Ata do të sulmonin të parët. E ndjeja fort këtë. Nuk doja të ndodhte,” deklaroi ai, duke pranuar se mund të ketë “nxitur Izraelin të veprojë” sa i përket kohës së sulmit.
Por pjesa më e ashpër e deklaratave të tij u drejtua ndaj disa aleatëve evropianë. Trump u shpreh i pakënaqur me Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se u deshën “tre apo katër ditë” për të vendosur se ku mund të uleshin forcat amerikane. Ai kritikoi drejtpërdrejt kryeministrin britanik Keir Starmer, duke thënë: “Nuk kemi të bëjmë me Winston Churchill.”
Ndaj Spanjës, presidenti amerikan njoftoi masa konkrete. Ai deklaroi se SHBA do të ndërpresë çdo marrëdhënie tregtare me Madridin, pasi Spanja refuzoi të lejojë përdorimin e bazave të saj ushtarake për misione të lidhura me sulmet ndaj Iranit.
“Spanja është sjellë në mënyrë të papranueshme,” tha Trump, duke shtuar se i ka kërkuar sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, të “ndërpresë çdo transaksion” me vendin. “Do të ndërpresim çdo marrëdhënie tregtare me Spanjën. Nuk duam të kemi asnjë lidhje,” theksoi ai.
Presidenti kritikoi gjithashtu Madridin për kundërshtimin ndaj rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, siç ai ka kërkuar nga aleatët e NATO-s.
Duke folur për konfliktin me Iranin, Trump e përshkroi regjimin në Teheran si “thjesht të keq” dhe tha se ideologjia e tij është “e rrezikshme për të gjithë rajonin”. Ai pretendoi se Irani ka sulmuar disa vende fqinje, përfshirë Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Omanin, edhe pse disa prej tyre kishin ndërmjetësuar në përpjekjet diplomatike.
Deklaratat e presidentit amerikan tregojnë një tension të ri në marrëdhëniet transatlantike, në një moment kur konflikti në Lindjen e Mesme po ushtron presion të fortë mbi unitetin e aleancës perëndimore.
Çfarë është ky kllouni, perandor ? Çështë Amerika mbretëri absolute ? Çfarë demokracie model është ajo ?
Respekte Spanjes! Sa do doja qe te kishim nje shtet te ketille! Por kemi vetem ca krimba e shushunja qe hiqen zvare neper jarget e Vellait te Madh!