Një grup aktivistësh britanikë vendosën fotografinë e Princit Andrew pas arrestimit, në ambientet e Muzeut të Luvrit në Paris, në një veprim simbolik që sipas tyre, synon të tregojë “si do ta mbajë mend bota” ish-dukën e Jorkut.
Grupi anti-miliarder me emrin “Everyone Hates Elon” e vari fotografinë në një mur të muzeut. Nën kornizë, aktivistët vendosën mbishkrimin “Tani po djersitet”. Imazhi paraqet Princin Andrew të ulur në sediljen e pasme të një automjeti Range Rover, i lodhur, pas daljes nga një stacion policor në Norfolk. Fotografia është bërë publike më herët nga media britanike në kontekstin e zhvillimeve ligjore që lidhen me çështjen Jeffrey Epstein.
Në një video të publikuar në Instagram, grupi shfaq momentin e vendosjes së fotos me mbishkrimin: “Thanë ‘Vareni atë në Luvër’. Dhe këtë bëmë.”
Sipas agjencisë Reuters, stafi i muzeut e hoqi fotografinë rreth 15 minuta më vonë.
Në një deklaratë për Reuters, grupi tha: “Dëshironim t’i tregojmë ish-princit Andreë si do të mbahet mend nga publiku, duke vendosur këtë foto ikonike të arrestimit të tij në Luvër. Shpresojmë që kjo të jetë vetëm fillimi. Drejtësi për të gjithë mbijetuesit e Epstein.”
Princi Andreë është përballur me kritika dhe pasoja publike pas lidhjeve të tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein. Në vitin 2022 ai arriti një marrëveshje jashtëgjyqësore me Virginia Giuffre, e cila e akuzonte për abuzim seksual, akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht. Marrëveshja nuk përbën pranim faji.

Lini një Përgjigje