
Një pistoletë dhe tetë plumba u gjetën të groposur në oborrin e pavijonit të 5-të të burgut Korydallos në Greqi
Kjo ngjarje ka shkaktuar reagimin urgjent të autoriteteve, pasi në këtë pavijon mbahen disa nga të dënuarit më të njohur të botës së krimit, mes tyre edhe shqiptari Klodian Lekocaj, i njohur si kreu i “mafies së burgjeve”
Mësohet se Lekocaj frekuenton të njëjtin oborr gjatë orarit të ajrimit. Në të njëjtin pavion ndodhen gjithashtu të burgosur turq, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në vrasje.
Hetuesit dyshojnë se arma mund të ishte përgatitur për tentativë arratisjeje, për sulm të mundshëm ndaj të burgosurve të tjerë, ose për marrje peng të punonjësve të burgut.
Hetimet janë zgjeruar në të gjitha qelitë e pavijonit, ndërsa po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë dhe regjistrat e vizitave të fundit.
Klodian Lekocaj pak kohë më parë është vënë sërish në epiqendër të autoriteteve greke pasi arriti të marrë peng përmes një thike dy gardianë të burgut, duke u marrë çelësat, radiot dhe telefonat celularë.
Në të njëjtën kohë, ai filloi të lëvizte nga një krah në tjetrin i burgut me një grup prej shtatë egjiptianësh, për të arritur në Repartin 3, ndërsa kërkonte një bashkatdhetar për ta vrarë.
Kush është Klodian Lekocaj?
48 vjeçari Klodian Lekocaj, është i njohur për autoritetet greke, pasi prej vitesh dyshohet për përfshirje në aktivitetet më të rënda kriminale si urdhërime vrasjesh, rrëmbime dhe trafikun e drogës.
Lekocaj ka qenë i përfshirë në shumë ngjarje kriminale në Greqi, ku përmenden vrasje me pagesë, atentate, plagosje dhe arratisje spektakolare nga burgjet. Ai ka qenë i lidhur me persona të tjerë me precedentë të rëndë penalë, përfshirë shqiptarë dhe shtetas të tjerë të huaj. Disa nga ngjarjet ku emri i tij ka dalë në skenë janë vrasja e një avokati grek, plagosja e klientëve në një lokal në Mikrolimano, tentativë për grabitje me armë dhe vrasje në zonën e Metaksurgios. Ai është arrestuar për herë të fundit në nëntor 2014.
Në vitet e fundit, policia greke e ka përfshirë emrin e tij edhe në disa dosje të tjera të rënda, përfshirë atentate të porositura ndaj shqiptarëve dhe gjobvënie ndaj biznesmenëve grekë. Pavarësisht pretendimeve të tij në media se është “i pafajshëm” dhe “i përdorur”, provat dhe përgjimet e mbledhura nga autoritetet flasin për një figurë me ndikim të madh në botën e krimit, brenda dhe jashtë burgjeve.
Emri i Klodian Lekocaj ka qenë i lakuar edhe si personi që ka dhënë urdhrin për ekzekutimin e Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja në Athinë dhe Edmond Papës në Tiranë.
Lini një Përgjigje