Bota18 Maj 2023, 12:09

Beteja Erdogan-Kiliçdaroglu; Pse gabuan ekspertët mbi rezultatin e zgjedhjeve në Turqi?

Shkruar nga Pamfleti

Beteja Erdogan-Kiliçdaroglu; Pse gabuan ekspertët mbi rezultatin e

Në fakt, është një meritë e Kiliçdaroglu që ai arriti këtë rezultat që u pa në raundin e parë, përkundër mosmarrëveshjeve të tilla. Por një ecuri e mirë në këto zgjedhje, nuk ishte narrativa e preferuar nga ekspertët mbi Turqinë. Në vend të kësaj, ata u fiksuan pas idesë se Kiliçdaroglu ishte i mirë-pozicionuar për të fituar.

Pas zgjedhjeve të 14 majit, Këshilli i Lartë Zgjedhor i Turqisë deklaroi se zgjedhjet presidenciale me një rivalitet të fortë dhe të shumëpritura do të shkojnë në balotazh më 28 maj. As presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan dhe as kundërshtari i tij kryesor, Kemal Kilicdaroglu, nuk arritën të marrin më shumë se 50 për qind të votave.

Ndaj ata duhet të përballen sërish 2 javë më vonë. Gjasat janë që Erdogan të ruajë avantazhin edhe në raundin e dytë dhe ta zgjasë edhe me 5 vite të tjera udhëheqjen e tij prej dy dekadash. Në fakt duhej të ishte kështu, të paktën sipas një numri të madh monitoruesish dhe vëzhguesish profesionistë të Turqisë.

Sepse ky ishte momenti kur njeriu që disa e quajnë si “Gandi i Turqisë” dhe që ka udhëhequr një koalicion të larmishëm socialdemokratësh, nacionalistësh, teknokratësh dhe islamikësh supozohej ta rrëzonte Erdoganin, njeriun që dëmtoi rëndë ekonominë e Turqisë por edhe demokracinë e saj.

Në rrjetet sociale pati disa zëra të izoluar që paralajmëronin kundër entuziazmit dhe optimizmit të paarsyeshëm. Por ky paralajmërim ra në vesh të shurdhër, edhe pasi një nga drejtuesit e koalicionit të Kiliçdaroglu, Meral Aksener, lidere e Partisë IYI, ngurroi për një kohë të shkurtër në mars, sepse nuk mendonte se kandidati aktual i opozitës mund të fitonte përballë Erdogan. (Më shumë njerëz duhet t’i kushtojnë asaj vëmendje në të ardhmen).

Për sa i përket gabimeve, fryrja e parashikimeve zgjedhore nuk pati pasoja tragjike. Askush nuk vdiq, por shumë nga njerëzit që supozohet se kanë njohuri për Turqinë krijuan një pritshmëri se Kiliçdaroglu mund të mundte Erdoganin. S’ka nevojë për sulme apo denigrime në lidhje më këtë dështim.

Por nëse askush nuk do të shfrytëzonte mundësinë për të bërë një bilanc, kjo vetëm sa do të komplikonte gabimin e bërë. Sepse vetëm nëse analistët e mbajnë veten përgjegjës për gabimet e tyre, mund të pritet që ata ta interpretojnë më mirë botën për politikë-bërësit, gazetarët dhe publikun e gjerë.

Atëherë çfarë ndodhi? Pse u gabua me parashikimet? Pati shumë përqendrim tek sondazhet, reagime në Tëitter, shumë brohoritje por shumë pak vëmendje ndaj avantazheve të Erdogan por edhe dobësive të Kiliçdaroglu.

Pas dy dekadash në krye të Turqisë, presidenti aktual ka mundësi që ta instrumentalizojë fuqinë e shtetit, të shfrytëzojë një peizazh mediatik miqësor me të dhe t’i vërë turqit kundër njëri-tjetrit me mesazhe të fuqishme politike mbi identitetin.

Në fakt, është një meritë e Kiliçdaroglu që ai arriti këtë rezultat që u pa në raundin e parë, përkundër mosmarrëveshjeve të tilla. Por një ecuri e mirë në këto zgjedhje, nuk ishte narrativa e preferuar nga ekspertët mbi Turqinë. Në vend të kësaj, ata u fiksuan pas idesë se Kiliçdaroglu ishte i mirë-pozicionuar për të fituar.

Kjo ishte e dukshme në editorialet e shumta, artikujt, podkastet dhe segmentet televizive midis analistëve me përvojë të politikave, që theksuan se fitorja e Kiliçdaroglu nuk ishte vetëm e mundur por rezultati i mundshëm i votimit të së dielës.

Për shembull, Medyascope është një televizion turk në internet, që gëzon imazhin e një mediaje të pavarur. Por e humbi qasjen e tij kritike pak kohë përpara zgjedhjeve. Një shumëllojshmëri e programeve të tij me analistë të njohur turq theksuan herë pas here pse Kiliçdaroglu do të ishte me siguri presidenti i ardhshëm.

Të gjithë gabojnë herë pas here, por ajo që ishte po aq shqetësuese sa analiza e gabuar pro-Kiliçdaroglu që ofruan ekspertët, ishte mënyra se si ata i cilësuan si pesimistë vëzhguesit më të kujdesshëm. Nëse analistët, veçanërisht ata që janë turq ose me origjinë turke, nuk ishin të bindur në fitoren e Kiliçdaroglu, u sulmuan si të painformuar apo se po ndiqnin një axhendë pro-Erdogan.

Ata që iu afruan zgjedhjeve të së dielës me më shumë kujdes, nuk e bënë këtë nga dashakeqësia, por përkundrazi nga kuptimi se autoritarët janë shpeshherë shumë rezistentë në qëndrimin e tyre në pushtet.

Erdogan e ka dëshmuar veten të aftë për pothuajse çdo gjë me synimin për të mbetur në pushtet, dhe opozita u përball me pengesa të rëndësishme në rrugën e saj drejt fitores. Ekzistojnë disa rregulla bazë, të cilat bota që po vëzhgon zgjedhjet turke duhet t’i zbatojë në parashikimin e zhvillimeve në raundin e dytë.

Së pari, shpresa nuk është analizë. Ashtu si shumë analistë që thanë 7 vite më parë se Donald Trump nuk mund të fitonte, analistët që besonin se Kiliçdaroglu do të fitonte, po i lejonin paragjykimet dhe besimet e tyre që të diktonin analizat e tyre. Është e gabuar të mbështetet tek mendimet e dëshiruara, prandaj ekspertët duhet të zgjerojnë diapazonin e tyre përtej sferave të tyre të afërta të kolegëve, miqve dhe familjes.

Së dyti, votimi është gjithnjë e më i pasigurt. Në javët përpara votimit, shumica e sondazheve e treguan Kiliçdaroglu të kishte një epërsi të konsiderueshme. Kjo gjë rezultoi të ishte e gabuar, edhe nëse qeveria dhe Erdogan luajtën pisët.

Së treti, çështjet e xhepit (pra të ekonomisë) janë vërtet të rëndësishme, por identiteti mund të edhe jetë më i rëndësishëm. Kjo është e diskutueshme, sepse shpesh zgjedhjet organizohen bazuar në faktin nëse njerëzit ndihen sikur janë më mirë tani se para disa viteve, gjë që sugjeron që njerëzit të votojnë bazuar në interesat e tyre ekonomike.

Por ne e dimë që kjo gjë nuk është e vërtetë. Ndoshta duhet ta ndryshojmë pyetjen ose të zgjerojmë të kuptuarit se si dhe pse njerëzit i përgjigjen pyetjes. Ka të ngjarë që një votues apo disa votues të kenë më pak para në portofolin e tyre, por ndjehen më të sigurt si myslimanë të devotshëm për shkak të politikave të Erdoganit. Në këtë kuptim, ata mund të jenë shumë më mirë se më parë.

Së fundi, nuk ka një urtësi të turmave që gjallojnë në Tëitter, sepse platforma nuk është aq e larmishme sa mund të duket. Pastaj, mbeten pikëpyetje serioze nëse janë numëruar të gjitha votat, por edhe mbi mënyrën se si Erdogan e përdori shtetin në avantazhin e tij për të shkuar në balotazh.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, arriti në përfundimin se procesit të votimit “i mungoi transparenca”, në një kohë që kritikoi si paragjykimet e medias po ashtu edhe “kufizimet ndaj lirisë së fjalës” në fillim të fushatës zgjedhore. Padyshim, e gjithë kjo është e vërtetë.

Por kjo nuk është e gjithë historia në Turqi. Përkundër kohërave të këqija ekonomike, një tërmeti shkatërrues dhe një opozite të gjallëruar, Erdogan mbetet popullor dhe mesazhi i tij për devotshmërinë, fuqinë dhe prosperitetin vazhdon të rezonojë tek një pjesë e mirë e popullatës. Vlen t’i kuptojmë këta faktorë dhe t’i përfshijmë në kuptimin tonë kolektiv të dinamikës politike që çoi në rezultatin e së dielës së 14 majit. Të veprosh ndryshe do të ishte e dëmshme për komunitetin tonë dhe njerëzit që kërkojnë nga ne urtësi për të gjitha gjërat që ndodhin në Turqi. Pa bërë një bilanc, nuk mund të mësojmë asgjë, madje as nga ky episod, duke mbetur thjesht përdorues të Tëitter-it që kanë disa mendime./Marrë nga Foreign Policy

erdogan kilicdaroglu eksperte zgjedhje turqi