
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të angazhohen drejtpërdrejt me qeverinë e Libanit, duke sqaruar se ky proces është i ndarë nga negociatat që lidhen me marrëdhëniet mes Libanit dhe Izraelit.
Teksa ka folur për gazetarët pas mbërritjes në Abu Dhabi, Rubio theksoi se “Libani është një shtet sovran” dhe shtoi se "SHBA do të bashkëpunojë drejtpërdrejt me autoritetet libaneze për çështjet dypalëshe dhe ato që lidhen me sigurinë rajonale".
Kryediplomati amerikan konfirmoi gjithashtu se ka zhvilluar bisedime me presidentin libanez, Joseph Aoun, ndërsa bëri të qartë se temat që lidhen me ndikimin e Iranit dhe mbështetjen për Hezbollahun do të trajtohen në kontaktet me Teheranin.
Rubio ndodhet në një turne diplomatik në Lindjen e Mesme, i cili përfshin Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Bahreinin. Gjatë vizitave pritet të diskutohen zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon pas marrëveshjeve mes SHBA-së dhe Iranit.
Duke komentuar situatën në Ngushticën e Hormuzit, ai përsëriti qëndrimin amerikan se “Irani nuk mund të vendosë tarifa në Ngushticën e Hormuzit”, duke theksuar se bëhet fjalë për një rrugë ujore ndërkombëtare ku zbatohen normat e së drejtës ndërkombëtare.
Rubio nënvizoi gjithashtu se një paqe e qëndrueshme në rajon kërkon ndalimin e sulmeve me raketa dhe dronë, duke e konsideruar këtë një kusht të rëndësishëm për uljen e tensioneve.
Lini një Përgjigje