Ish-zv.komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe debatit të krijuar në ditët e fundit rreth rolit të Dritan Goxhajt në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meçollari ka publikuar një dokument zyrtar, i cili sipas tij dëshmon statusin dhe kontributin e Goxhajt në radhët e UÇK-së.
Bëhet fjalë për një vendim të Komisionit për Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të UÇK-së, i firmosur nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku.
Sipas dokumentit të publikuar, me vendimin nr. 18/9642, datë 20 maj 2016, Dritan L. Goxhaj është shpallur zyrtarisht “Veteran Luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Meçollari e shoqëroi publikimin e dokumentit me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Këtë dokument dikush t’ia dërgojë Edi Ramës. Dritan L. Goxhaj, me firmën e gjeneral-lejtnant Agim Çeku, shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe Kryetar i Komisionit për Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të UÇK-së, me vendimin nr. 18/9642, datë 20 maj 2016, shpallet ‘Veteran Luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’.”
Publikimi i dokumentit vjen në kulmin e debatit politik të ditëve të fundit, pasi Dritan Goxhaj lexoi kërkesat e protestuesve në tubimin para Kryeministrisë dhe më pas u bë objekt i sulmeve dhe komenteve nga eksponentë të mazhorancës.
Lini një Përgjigje