
Marrëdhëniet SHBA–Izrael tensionohen, ndërsa demokratët rrisin kritikat dhe kundërshtojnë ndihmën ushtarake
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përballet me një rënie të ndjeshme të mbështetjes në Shtetet e Bashkuara, ndërsa lufta me Iranin përshpejton përkeqësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Sipas raportimeve të Axios, rënia e popullaritetit të Izraelit, veçanërisht mes votuesve të rinj amerikanë, po reflektohet gjithnjë e më shumë edhe në Kongres. Ligjvënës që më parë mbanin një qëndrim të fortë pro-Izraelit po shprehin tani kritika më të hapura.
“Duhet të kemi një diskutim për mënyrën se si të normalizohet kjo marrëdhënie dhe çfarë ndryshimesh janë të nevojshme,” deklaroi kongresmeni Jason Crow për Axios, duke nënvizuar se situata aktuale kërkon rishikim.
Zhvillimet e fundit në Senat tregojnë një ndryshim të dukshëm të klimës politike. Të gjithë senatorët demokratë që synojnë kandidimin për president në vitin 2028 votuan kundër shitjeve të armëve për Izraelin në votimet e kësaj jave.
Në total, 40 senatorë demokratë mbështetën një rezolutë për të bllokuar këto shitje, një rritje e ndjeshme krahasuar me vetëm 15 vota në një votim të ngjashëm në prillin e kaluar.
Senatori Ruben Gallego deklaroi për Punchbowl News se Netanyahu po “shkatërron natyrën dypartiake të mbështetjes për Izraelin”, duke sugjeruar se mbështetja tradicionale në SHBA po dobësohet.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, disa demokratë kanë filluar të kundërshtojnë edhe mbështetjen mbrojtëse për Izraelin, përfshirë financimin për sistemin e mbrojtjes ajrore “Iron Dome”.
Kongresmeni Maxwell Frost theksoi për Axios se një qëndrim i tillë “do të ishte konsideruar ekstrem vetëm katër vite më parë”, por tashmë po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.
Madje, disa demokratë që kishin votuar në favor të financimit të “Iron Dome” në vitin 2021 kanë deklaruar se nuk janë më të gatshëm të ofrojnë ndihmë financiare, duke reflektuar një ndryshim të thellë në qëndrimin politik ndaj Izraelit në SHBA.
Lini një Përgjigje