TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Tetor 2024, 15:25

Bota po i afrohet rrezikshëm humnerës - tani në luftë të përgjithshme apo kompromis?

Shkruar nga Gabriel Elefteriu

 Bota po i afrohet rrezikshëm humnerës - tani në luftë

Katër hapat sesi mund të jepet fund kaosit aktual dhe të rikthehet stabiliteti në botë

Bota është destabilizuar në një shkallë shumë të madhe. Sot ajo është e mbushur me konflikte dhe luftëra. Në aspektin gjeopolitik, ajo po ndahet gjithnjë e më ashpër në dy kampe. I pari është grupimi i vjetër perëndimor, i udhëhequr nga SHBA-ja, G7-a, BE-ja dhe NATO.

Ndërsa i dyti Boshti Euroaziatik i udhëhequr nga Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut, dhe i mbështetur gjerësisht nga partnerët e tjerë në BRICS apo SCO (Organizata e Bashkëpunimit të Shangait). Hegjemonia amerikane po përballet prej disa dekadash me këtë prirje, që nga shenjat e para të panikut nga “Ngritja e Kinës” në mesin e viteve 2000.

Kundërpërgjigja erdhi në disa faza. Në fillim ri-balancimi:Shtrirja e ndikimit të mëtejshëm drejt Azisë nga Barack Obama. Më pas, erdhi frenimi: luftërat tregtare të Donald Trump ndaj Kinës, goditja ndaj kompanive kineze si Huawei, si dhe nxitja e rigjallërimit të NATO-s.

Faza e fundit është konfrontimi në fushën e konkurrencës:shkëputja ekonomike e SHBA-së nga Kina, e nxitur nga Biden pas pandemisë së Covid-19, dhe një qasje më e ashpër në fushën e sigurisë në rajonin e Indo-Paqësorit. Gjatë gjithë kësaj periudhe, është supozuar se ka një “zgjidhje” politike ndaj kaosit aktual ku ndodhet bota, i nxitur nga vendet autoritare. Një mënyrë për ta adresuar problemin, është t’i jepet mundësia miqve dhe aleatëve në linjat e frontit në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azi, që t’i rezistojnë presionit revizionist dhe t’i lodhin forcat e boshtit, derisa të nisë të kriset aleanca e tyre. Megjithatë gjithnjë e më shumë analistë, po vënë re se gjërat po i afrohen një pike pa kthim, një lufte të madhe.

Mbërritja në Ukrainë e trupave të Koresë së Veriut - dhe sugjerimi i një lëvizjeje të ngjashme nga Koreja e Jugut - është vetëm treguesi më i fundit i këtij efekti domino. Në këto kushte, cilët janë elementët që do të kontribuonin në “stabilitetin” në një botë post-perëndimore edhe pse jo aq “multipolare”?

E ardhmja është e panjohur, por ajo që dimë nga e gjithë historia e atyre që sot i quajmë marrëdhënie ndërkombëtare, është se çdo rend botëror i qëndrueshëm duhet të përfshijë disa versione, të përshtatura me kohën tonë:

Së pari, një sistem i ri për menaxhimin e marrëdhënieve midis fuqive të mëdha. Kjo ishte ideja origjinale e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. E drejta e tyre e veçantë e vetos, pasqyronte statusin dhe rolin e tyre në formësimin e çështjeve globale nëpërmjet OKB-së.

Tani OKB-ja është jo vetëm jofunksionale por edhe e diskredituar. Prandaj ka ardhur koha të kthehemi sërish tek e vetmja zgjidhje që dimë se ka funksionuar dikur si një mekanizëm stabilizues:Një version i “ Koncerti i Fuqive ”, koncepti që doli nga Kongresi i Vjenës në 1815.

Një version i shekullit XXI i Koncertit të Fuqive të mëdha, do të duhet të përfshijë një sistem më të gjerë dhe më të sofistikuar mekanizmash konsultimi, të cilat do të merrnin parasysh pikëpamjet dhe interesat e “miqve dhe aleatëve” më të vegjël, siç është anëtarësimi i një numri më të madh shtetesh në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, apo i shteteve të tjera në G20.

Parakushti jetik edhe për fillimin e ndërtimit të një sistemi të tillë të ri, është zgjidhja politike e tensioneve aktuale. Pra hapi i parë i domosdoshëm, do të ishte një zgjidhje e përgjithshme diplomatike e të gjitha çështjeve të mëdha gjeopolitike të pazgjidhura midis fuqive kryesore të dy “kampeve”, G7 dhe BRICS.

Së dyti, do të na duhet një arkitekturë e re globale e sigurisë. Sistemi i trashëguar i OKB-së ka dështuar, dhe aleanca perëndimore e udhëhequr nga SHBA, ka qenë në përgjithësi e paaftë për të penguar agresionin e madh shtetëror në Evropë dhe Lindjen e Mesme.

Sistemi i ri i sigurisë, duhet të ndërtohet mbi mekanizmat ekzistues të sigurisë, si NATO apo AUKUS në anën tonë, apo CSTO, SCO dhe të tjerët në anën e Boshtit Euroaziatik, por kjo do të kërkonte elementë përbashkues midis të dyjave. Zhdukja e konfliktit brenda strukturave ekzistuese të mbrojtjes dhe sigurisë, duhet të arrihet duke negociuar mbi kufizimet e armëve, zonat e çmilitarizuara dhe mekanizmat e verifikimit dhe transparencës.

Së treti, do të na duhet një marrëveshje e re mbi marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike globale. Sistemi i tregtisë së lirë, që krijoi aq shumë pasuri dhe që solli edhe ngritjen e Kinës, është në rënie të lirë. OBT-ja është sot hija e vetvetes. Shtimi i barrierave tregtare dhe proteksionizmit, ka sjellë kosto më të larta dhe më pak rritje ekonomike globale.

Dhe kjo përkthehet në më shumë probleme sociale, pasi shpenzimet publike janë nën një presion të madh për shkak të kërkesës më të lartë (veçanërisht në Perëndim, teksa brezi i bumit të lindjeve po hyn në pleqërinë), dhe i të ardhurave më të ulëta tatimore, së bashku me pagesat gjithnjë e më të larta të interesit për borxhin në rritje. Zgjidhja e kësaj sfide, duhet të bazohet tek një sistem i ri marrëveshjesh dhe rregullash të tregtisë së lirë globale, nën një OBT të reformuar nëse është e mundur.

E katërta dhe e fundit, ne kemi nevojë për një sistem të ri bashkëpunimi për mbrojtjen e planetit tonë. Nga ndryshimi i klimës me të gjitha aspektet e tij, tek shëndeti global, migrimi dhe një sërë çështjesh humanitare, po prekin të gjithë botën. Vështirësia qëndron sërish tek fakti që sistemi i OKB-së është jofunksional dhe shpesh këto çështje globale përdoren si “armë” kundër palës tjetër për arsye politike.

Për shembull, politikat e gjelbra, të paraqitura fillimisht si një mënyrë për të luftuar ndryshimet klimatike, janë bërë një instrument strategjik i “luftës” ekonomike, i përdorur më së miri deri më tani nga Kina. Në raste të tjera, bioinxhinieria dhe Inteligjenca Artificiale, bartin një rrezik potencialisht të madh për njerëzimin në përgjithësi, si fizikisht ashtu edhe moralisht.

Pra mund të ketë një rrugë kthimi drejt stabilitetit global, por ne duhet të mendojmë më gjerë sesa vetja jonë. Diferenca e epërsisë perëndimore, është ende mjaftueshëm e madhe jo vetëm për parandalim (të paktën tani për tani), por edhe për të eksploruar, me një shkallë të mirë sigurie, mundësinë e një “rikonfigurimi të skenës globale”, e negociuar enkas me synimin për të rivendosur stabilitetin e sistemit ndërkombëtar./Përshtati Pamfleti nga “Brussels Signal”

Shënim: Gabriel Elefteriu, zëvendësdrejtor në Këshillin për Gjeostrategjinë me qendër në Londër.

bota humnera lufta

Lini një Përgjigje