TAGS-AT E JAVËS

Sport27 Qershor 2026, 16:18

Nga “hajduti i peshqirit” te protagonisti i Kupës së Botës, mesfushori maroken në garë me yjet Botëror për ‘Këpucën e Artë’

Shkruar nga Pamfleti
Nga “hajduti i peshqirit” te protagonisti i Kupës së
Mesfushori i Marokut, Ismael Saibari

Pak muaj më parë, Ismael Saibari ishte në qendër të kritikave pas një incidenti gjatë finales së Kupës së Kombeve të Afrikës mes Marokut dhe Senegalit. Sot, mesfushori 25-vjeçar është një nga emrat më të spikatur të Kupës së Botës, ku po lufton për trofeun e golashënuesit më të mirë të turneut.

Gjatë finales së Kupës së Kombeve të Afrikës, Saibari u filmua duke tentuar t'i merrte peshqirin portierit të Senegalit, Edouard Mendi, në një moment tensioni të ndeshjes. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke sjellë reagime të shumta dhe kritika ndaj futbollistit maroken.

Megjithatë, pas përfundimit të finales, Saibari ndërmori një hap që u vlerësua gjerësisht. Ai vizitoi hotelin e kombëtares së Senegalit për t'i kërkuar falje personalisht Mendi-t dhe pjesëtarëve të ekipit për sjelljen e tij. Gjesti u konsiderua si një shenjë pjekurie dhe respekti, duke mbyllur një episod që kishte rrezikuar të dëmtonte imazhin e tij.

Surpriza e madhe e Botërorit

Në prag të Kupës së Botës 2026, emrat që konsideroheshin favoritë për "Këpucën e Artë" ishin Lionel Mesi, Kilian Mbape, Kristiano Ronaldo, Erling Haland dhe Vinicius Zhunior. Edhe te Maroku, vëmendja ishte e përqendruar te Brahim Diaz dhe Ashraf Hakimi, ndërsa emri i Ismael Saibarit përmendej shumë rrallë.

Botërori, megjithatë, ndryshoi gjithçka

Saibari ka shënuar në të tre ndeshjet e fazës së grupeve, duke realizuar ndaj Brazilit, Skocisë dhe Haitit. Goli ndaj Brazilit, në barazimin 1-1, tërhoqi vëmendjen e opinionit sportiv për mënyrën e qetë dhe cilësore të finalizimit përballë portierit Alison Beker.

Ndaj Skocisë ai shënoi pas vetëm 70 sekondash lojë, duke regjistruar golin më të shpejtë të turneut deri në atë moment, si edhe golin më të shpejtë të Marokut në historinë e Kupave të Botës.

Edhe në sfidën kundër Haitit ishte vendimtar, duke realizuar golin e barazimit 2-2 pak para fundit të pjesës së parë, në ndeshjen që Maroku e fitoi me rezultatin 4-2.

Rekorde historike dhe transferimi te Bajerni i Mynihut

Me tre gola në tre ndeshjet e para në Kupën e Botës, Saibari ka hyrë në historinë e futbollit maroken dhe afrikan. Ai është lojtari i parë i Marokut që shënon në secilën prej tre ndeshjeve të para të një Botërori, si edhe futbollisti i parë afrikan që realizon gol në secilën nga tre ndeshjet e tij të para në këtë kompeticion.

Paraqitjet e tij kanë tërhequr edhe interesin e klubeve më të mëdha evropiane. Mesfushori ofensiv është transferuar për 55 milionë euro te Bajerni i Mynihut, ku do të jetë pjesë e skuadrës deri në vitin 2031.

Me të ardhmen tashmë të siguruar në një nga klubet më të mëdha të Evropës, Saibari pritet ta nisë fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës me besim të plotë dhe si një nga protagonistët kryesorë të turneut.

Nga kritikat te statusi i yllit

Brenda pak muajsh, Ismael Saibari ka kaluar nga një episod që u bë viral në rrjetet sociale në statusin e një prej futbollistëve më të përfolur të Botërorit 2026. Mesfushori maroken është shndërruar në një nga kandidatët për "Këpucën e Artë", duke konfirmuar se në futboll mjaftojnë disa ndeshje të mëdha për të ndryshuar rrënjësisht perceptimin mbi një lojtar.

ismael saibari mesfushori maroken kupa e botës

Lini një Përgjigje