TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Qershor 2026, 16:46

Autokrati që kërkon të bëhet Mbret!

Shkruar nga Pamfleti
Autokrati që kërkon të bëhet Mbret!
Foto ilustruese

Një letër e botuar në librin The Albania Files ngre pyetje që shkojnë përtej arkitekturës: a është ideja e "Ramës mbret" një provokim, një ironi apo një pasqyrim i ambicies së pushtetit? Mes debatit për autokracinë dhe modelin presidencial, revolta qytetare e javëve të fundit po sfidon narrativën e pushtetit të përjetshëm.

Kur një arkitekt me reputacion botëror shkruan se zgjedhjet ndoshta do të ishte më mirë të anuloheshin dhe se, pas mandatit të pestë, një kryeministër mund të bëhej "president i përjetshëm, ndoshta edhe mbret", nuk kemi më të bëjmë me një fjali kalimtare në një libër arkitekture. Kemi të bëjmë me një tekst që meriton të lexohet me kujdes.

Pikërisht kjo është arsyeja pse letra e Reinier de Graaf, e botuar në librin "The Albania Files", nuk mund të kalojë si një episod folklorik. Ajo ngre dy mundësi dhe të dyja janë po aq domethënëse.

Mundësia e parë është se autori e ka seriozisht.

Nëse është kështu, atëherë kemi të bëjmë me një kambanë alarmi. Një arkitekt që ka punuar për vite me radhë në Shqipëri dhe ka parë nga afër mënyrën se si ndërtohet pushteti, arrin në përfundimin se stabiliteti i modelit shqiptar lidhet me vazhdimësinë e një njeriu të vetëm. Madje shkon deri aty sa të sugjerojë anulimin e zgjedhjeve dhe të imagjinojë një lider që qeveris përgjithmonë.

Një fjali e tillë nuk është thjesht provokim. Është një test. Një "shashkë" e hedhur në opinionin publik për të parë se sa e pranueshme mund të tingëllojë ideja e pushtetit të përhershëm.

Por ekziston edhe mundësia e dytë.

Që Reinier de Graaf ka përdorur ironinë.

Nëse është kështu, ironia është edhe më therëse. Sepse ajo nuk tallet me demokracinë shqiptare. Ajo tallet me ambicien e pushtetit. Me idenë se një lider nuk ngopet kurrë me mandatet dhe gjithmonë kërkon një shkallë më lart. Nga kryeministër në president. Nga president në figurë të pazëvendësueshme. Nga drejtues politik në simbol shtetëror. Derisa, në fund, mbetet vetëm metafora: mbreti.

Historia moderne ka treguar se autokratët nuk ndalen vetë.

Në fillim kërkojnë një mandat më shumë. Pastaj ndryshojnë institucionet. Më pas ndryshojnë kushtetutën. Kufizojnë balancat, dobësojnë parlamentin, përqendrojnë pushtetin dhe ndërtojnë një sistem ku shteti identifikohet me një person.

Është një model që Evropa e ka parë tashmë.

Viktor Orbán në Hungari.

Aleksandër Vuçiç në Serbi.

Rexhep Tajip Erdogan në Turqi.

Në shumë analiza dhe media ndërkombëtare, Edi Rama është përfshirë në të njëjtin debat mbi përqendrimin e pushtetit në Ballkan, krahas këtyre liderëve. Jo sepse sistemet janë identike, por sepse pyetja është e njëjtë: deri ku mund të zgjatet pushteti i një njeriu?

Në Shqipëri kjo pyetje nuk është teorike.

Prej vitesh diskutohet mundësia që Edi Rama të ndjekë modelin serb. Të kalojë nga një republikë parlamentare drejt një sistemi me kompetenca shumë më të mëdha presidenciale. Vetë ideja është përfolur vazhdimisht në qarqet politike.

Prandaj letra e De Graaf merr një kuptim tjetër.

Kur ai shkruan për një "president të përjetshëm", ai prek një debat që në Shqipëri ekziston prej kohësh. Edhe nëse e ka shkruar si humor, ai prek një nerv real të politikës shqiptare.

Dhe këtu lind paradoksi.

Një libër që supozohej të fliste për arkitekturën, në fakt flet për pushtetin.

Sepse ndërtesat ndërtohen.

Por edhe regjimet ndërtohen.

Edhe kulti i individit ndërtohet.

Edhe bindja se pa një njeri të vetëm nuk funksionon shteti ndërtohet.

Kjo është arsyeja pse letra nuk është interesante vetëm për atë që thotë. Është interesante sepse tregon se si një pjesë e elitës ndërkombëtare e percepton Shqipërinë: si një vend ku zhvillimi lidhet me vazhdimësinë e të njëjtit lider.

Por historia ka një zakon.

Sa më i madh bëhet pushteti, aq më e madhe bëhet frika për ta humbur atë.

Dhe pikërisht këtu hyn zhvillimi më i ri.

Teksa në një libër ndërkombëtar hidhen skenarë për një Ramë president të përjetshëm apo edhe "mbret", në rrugët e Tiranës po ndodh e kundërta. Revolta qytetare ka hyrë sot në ditën e 28-të. Çdo mbrëmje mijëra qytetarë dalin në shesh, jo për t'i shtuar pushtet kryeministrit, por për t'ia kufizuar atë.

Ironia e madhe është se ndërsa disa imagjinojnë një Ramë me pushtet të përjetshëm, realiteti politik po shkon në drejtimin e kundërt.

Sot, Edi Rama nuk duket më si një lider që po ngjitet drejt fronit të një presidenti apo një "mbreti". Për herë të parë pas shumë vitesh, ai përballet me një revoltë që nuk kërkon një mandat tjetër për të, por fundin e epokës së tij politike.

Ndoshta kjo është përgjigjja më e mirë për letrën e Reinier de Graaf.

Në demokraci nuk ka mbretër.

Dhe kur qytetarët vendosin të ngrihen, edhe autokratët zbresin nga froni. /Pamfleti

 

rama mbret

1 Komente

  1. O
    Opionisti

    Kjo dihete do behete brete. JANE DY GJERA1PARTIA SOCIALISTEENERIK MEHMETI NAPOLON BREGU .KURSE ME. KETA KA BERE MARVESHJE MARIN MEMA DHE LEGA ZOGU DHEALFRET MOISIU

    Lini një Përgjigje