TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Qershor 2026, 16:18

Lideri i Hezbollahut refuzon marrëveshjen Izrael-Liban: E pavlefshme, shkel vijat e kuqe!

Shkruar nga Pamfleti
Lideri i Hezbollahut refuzon marrëveshjen Izrael-Liban: E pavlefshme, shkel
Lideri i Hezbollahut, Naim Qassem

Lideri i Hezbollahut, Naim Qassem, ka hedhur poshtë marrëveshjen kornizë të nënshkruar mes Izraelit, Libanit dhe Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe në kundërshtim me interesat e Libanit.

Qassem deklaroi sot se marrëveshja e firmosur në Uashington është "e pavlefshme", përbën "një poshtërim" dhe përfaqëson dorëzimin e sovranitetit kombëtar. Sipas tij, ajo duhet të zëvendësohet nga memorandumi i arritur mes Iranit dhe SHBA-së.

Lideri i Hezbollahut paralajmëroi gjithashtu se organizata nuk do të pranojë që tërheqja e forcave izraelite nga Libani jugor të kushtëzohet me çarmatimin e saj.

"Çdo përpjekje për të lidhur tërheqjen e Izraelit nga Libani jugor me çarmatimin e organizatës shkel vijat e kuqe", u shpreh ai.

Qassem u drejtua edhe autoriteteve libaneze me një mesazh të ashpër: "U themi autoriteteve libaneze se është koha që ju të hiqni dorë nga mëkatet tuaja që po shkatërrojnë Libanin".

Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi SHBA-ja, Izraeli dhe Libani nënshkruan në Uashington një marrëveshje kornizë trepalëshe, e cila synon dobësimin e Hezbollahut pas disa ditësh negociatash të ndërmjetësuara nga administrata amerikane.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, marrëveshja parashikon një proces të strukturuar për çarmatimin e Hezbollahut, çmontimin e infrastrukturës së tij ushtarake dhe krijimin e kushteve për tërheqjen e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nga Libani, pasi të eliminohet kërcënimi që, sipas marrëveshjes, paraqet organizata.

Dokumenti parashikon gjithashtu rritjen e mbështetjes amerikane për Forcat e Armatosura Libaneze, me synim forcimin e kapaciteteve të tyre dhe mbështetjen e operacioneve kundër Hezbollahut.

lideri i hezbollahut naim qassem

Lini një Përgjigje