TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Dhjetor 2025, 18:12

Cunami godet brigjet e Japonisë pas tërmetit, nisin evakuimet

Shkruar nga Pamfleti

Cunami godet brigjet e Japonisë pas tërmetit, nisin evakuimet

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.6 të shkallës Rihter ka goditur veriun e Japonisë, duke shkaktuar lëkundje të forta dhe duke nxitur alarm për cunami në disa zona bregdetare të vendit. Tërmeti u regjistrua në det, rreth 80 kilometra nga bregu i Aomorit, në një thellësi prej rreth 50 kilometrash.

Autoritetet japoneze konfirmuan mbërritjen e valëve të para të cunamit në disa porte të prefekturave Aomori dhe Iwate, me valë që arritën lartësinë nga 20 deri në 70 centimetra, ndërkohë që paralajmërimi zyrtar i agjencisë meteorologjike japoneze flet për mundësi valësh deri në 3 metra.

Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin urgjent të banorëve në zonat e prekura, kryesisht në brigjet veriore të ishullit Honshu. Shërbimet hekurudhore janë pezulluar në disa linja, ndërsa qendrat e emergjencës janë vendosur në gatishmëri të plotë.

Sipas mediave japoneze, mijëra qytetarë janë larguar nga shtëpitë e tyre, ndërkohë që stuhia sizmike ka shkaktuar dëme të pjesshme në ndërtesa dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona rurale.

Pas mësimeve të dhimbshme të vitit 2011 dhe katastrofës në centralin bërthamor të Fukushimës, qeveria japoneze ka mobilizuar specialistët për të kontrolluar sigurinë në të gjitha centralet bërthamore të rajonit. Deri në orët e fundit, nuk ka raportime për dëme apo rrjedhje radioaktive, por kontrolli do të vazhdojë deri në stabilizimin e situatës.

Lini një Përgjigje