Historia mbetet një shembull se si ndonjëherë, ndryshimet më të mëdha gjeopolitike nuk nisin në samite apo tryeza negociatash, por në takime informale, ku një bisedë mes dy liderëve dhe një hot dog mund të ndikojnë në rrjedhën e historisë.
Pak muaj para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Evropa po shkonte me shpejtësi drejt konfliktit, presidenti amerikan Franklin Roosevelt ndërmori një lëvizje diplomatike të pazakontë. Në qershor të vitit 1939, ai ftoi në rezidencën e tij private në Hyde Park të Nju Jorkut mbretin George VI dhe mbretëreshën Elizabeth të Britanisë për një fundjavë larg protokollit zyrtar.
Në pamje të parë, vizita dukej si një takim miqësor mes familjeve, me hot dog, birra dhe biseda në natyrë. Por pas kësaj atmosfere informale fshihej një strategji e menduar me kujdes: Roosevelt kërkonte të ndryshonte perceptimin e amerikanëve për Britaninë dhe të përgatiste terrenin politik për një bashkëpunim që pak vite më vonë do të rezultonte vendimtar në luftën kundër Gjermanisë naziste.
SHBA nuk donte një tjetër luftë evropiane
Në fillim të vitit 1939 ishte bërë e qartë se politika e pajtimit ndaj Adolf Hitlerit kishte dështuar. Pas Marrëveshjes së Mynihut, Gjermania pushtoi pjesën e mbetur të Çekosllovakisë, duke treguar se ambiciet e Hitlerit nuk kishin kufij.
Roosevelt ishte i bindur se Britania do të përballej shumë shpejt me Gjermaninë, por një problem i madh mbetej opinioni publik amerikan. Kujtimet e Luftës së Parë Botërore kishin ushqyer një frymë të fortë izolacioniste dhe shumica e amerikanëve nuk dëshironin të përfshiheshin sërish në një konflikt evropian. Për këtë arsye, presidenti amerikan vendosi që fillimisht duhej të fitonte zemrat e qytetarëve, përpara se të ndryshonte politikën e jashtme të vendit.
Vizita historike e një mbreti britanik
Ftesa ishte historike, pasi për herë të parë një monark britanik në detyrë shkelte në tokën amerikane.
Roosevelt nuk e priti çiftin mbretëror në Shtëpinë e Bardhë, por në Hyde Park, vendi ku ishte rritur dhe ku ndihej më i lirë të krijonte marrëdhënie personale. Qëllimi ishte i qartë: britanikët të mos shiheshin si përfaqësues të një perandorie të largët, por si njerëz të zakonshëm dhe aleatë natyralë të demokracisë amerikane.

Dy liderë me dobësi të fshehura
Vizita krijoi edhe një lidhje personale mes Roosevelt-it dhe mbretit George VI.
Mbreti kishte marrë fronin papritur pas dorëheqjes së vëllait të tij Edward VIII dhe vuante nga belbëzimi, çka e bënte të pasigurt në daljet publike. Nga ana tjetër, Roosevelt fshihte nga publiku faktin se nuk mund të ecte pa ndihmë pas sëmundjes që e kishte paralizuar pjesërisht.
Kjo përvojë e përbashkët me dobësitë fizike duket se krijoi shpejt një marrëdhënie besimi mes dy burrave, të cilët zhvilluan biseda të gjata për situatën në Evropë dhe mënyrat se si SHBA mund ta ndihmonte Britaninë pa shkelur ligjet amerikane të neutralitetit.
"Diplomacia e hot dog-ut"
Kulmi i vizitës erdhi më 11 qershor 1939.
Pas meshës së së dielës, Roosevelt i çoi mysafirët në "Top Cottage", një shtëpi e vogël brenda pronës së tij, ku organizoi një piknik. Aty mbreti George VI provoi për herë të parë hot dog-un amerikan, hoqi kravatën, hëngri me duar, piu birrë dhe u miqësua me banorët vendas. Më vonë ai notoi edhe në pishinë me presidentin amerikan.
Ndërsa mbretëresha Elizabeth, zgjodhi ta hante hot dog-un me thikë dhe pirun, duke ruajtur më shumë etikën mbretërore.
Fotografitë e mbretit duke ngrënë hot dog dhe duke u sjellë si një qytetar i zakonshëm bënë jehonë në mediat amerikane. Pikërisht ky ishte synimi i Roosevelt-it: të afronte emocionalisht amerikanët me Britaninë.
Hapi i parë drejt "marrëdhënies së veçantë"
Vizita nuk ndryshoi menjëherë politikën amerikane. SHBA nuk hyri në luftë kur ajo shpërtheu në shtator 1939 dhe vazhdoi të ruante neutralitetin për më shumë se dy vjet.
Megjithatë, ajo krijoi diçka që rezultoi vendimtare: besimin personal dhe politik mes dy vendeve. Më vonë, në vitin 1941, u miratua programi "Lend-Lease", i cili i lejoi Uashingtonit të furnizonte Britaninë me armë, anije, ushqime dhe materiale strategjike. Pas sulmit japonez në Pearl Harbor, SHBA hyri zyrtarisht në Luftën e Dytë Botërore.
Historianët e konsiderojnë fundjavën në Hyde Park si një moment kyç në lindjen e asaj që më vonë u quajt "marrëdhënia e veçantë" mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.
Historia mbetet një shembull se si ndonjëherë, ndryshimet më të mëdha gjeopolitike nuk nisin në samite apo tryeza negociatash, por në takime informale, ku një bisedë mes dy liderëve dhe një hot dog mund të ndikojnë në rrjedhën e historisë./ Përshtati "Pamfleti" nga "Protothema.gr"
Lini një Përgjigje