Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane ka publikuar një video që tregon momentin kur forcat amerikane godasin një kullë vëzhgimi të marinës iraniane në portin Chabahar, pranë Ngushticës së Hormuzit.
Në pamje shihet objekti teksa merret në shënjestër dhe më pas shkatërrohet nga shpërthimi. Në të njëjtën kohë, në rrjetet sociale po qarkullojnë edhe video të filmuara nga qytetarë, të cilat tregojnë momentin e goditjes nga një këndvështrim tjetër.
Një fotografi nga momenti i sulmit u publikua edhe nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në llogarinë e tij në platformën X. Krahas fotos, ai riktheu në vëmendje një postim të mëparshëm ku shkruante se "Irani nuk kontrollon Ngushticën e Hormuzit".
Në një deklaratë zyrtare, CENTCOM bëri të ditur se më 16 korrik forcat amerikane shkatërruan kullën e vëzhgimit në portin Shahid Kalantari në Chabahar. Sipas ushtrisë amerikane, objekti ishte pjesë e rrjetit të mbikëqyrjes detare përgjatë brigjeve iraniane në Gjirin e Omanit dhe ishte përdorur prej dekadash nga Garda Revolucionare Islamike (IRGC) për të monitoruar dhe identifikuar anijet tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Sipas CENTCOM, shkatërrimi i kullës dobëson aftësinë e Gardës Revolucionare për të koordinuar sulme ndaj anijeve tregtare dhe kontribuon në garantimin e lirisë së lundrimit në rajon, me përjashtim të mjeteve që, sipas SHBA-së, përpiqen të shkelin bllokadën detare amerikane ndaj Iranit.
Ky sulm ishte pjesë e valës së gjashtë të operacioneve ushtarake amerikane kundër objektivave iraniane, të përqendruara kryesisht në jug dhe jugperëndim të vendit. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për goditjen më intensive të SHBA-së që prej nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes dy vendeve.
Ndërkohë, ushtria amerikane hodhi poshtë pretendimet e Iranit se kishte vrarë ushtarë amerikanë në Siri. Në një reagim në platformën X, CENTCOM mohoi raportimet iraniane, sipas të cilave ishin goditur forcat amerikane në bazën Al-Tanf, pranë kufirit Siri-Jordani.
Edhe një burim ushtarak sirian, i cituar nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP), mohoi se Irani kishte bombarduar bazën Al-Tanf, duke theksuar se forcat amerikane ishin tërhequr nga ajo bazë që në muajin shkurt.
Ndërkohë, Ministria iraniane e Energjisë u bëri thirrje qytetarëve të kufizojnë konsumin e energjisë elektrike, pasi rrjeti energjetik po përballet me presion të madh pas sulmeve amerikane ndaj infrastrukturës energjetike në jug të vendit.
Në njoftimin e saj, ministria u kërkoi banorëve të fikin pajisjet e kondicionimit gjatë orëve të pikut, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike në provincat jugore, të cilat po përballen njëkohësisht me temperatura ekstreme dhe dëme në rrjetin energjetik pas sulmeve.
On July 16, U.S. forces successfully destroyed the Chah Bahar Shahid Kalantari Port surveillance tower, part of a maritime surveillance network along Iran’s Gulf of Oman coastline used for decades by the Islamic Revolutionary Guard Corps (IRGC) to track and target commercial… pic.twitter.com/CgBNvgOFf9
— U.S. Central Command (@CENTCOM) July 17, 2026
Lini një Përgjigje