TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Prill 2026, 14:35

Dy skenarët që mund ta rrëzojnë brenda majit Keir Starmer

Shkruar nga Eleanor Langford
Dy skenarët që mund ta rrëzojnë brenda majit Keir Starmer
Keir Starmer

Kriza politike rreth emërimit të ambasadorit në SHBA ka lëkundur pozitat e kryeministrit britanik midis akuzave për fshehje informacioni. Hetimet e ardhshme dhe dëshmitë e zyrtarëve të lartë pritet të përcaktojnë nëse ai do të përballet me një sfidë për lidership. Rezultati i zgjedhjeve lokale të majit do të shërbejë si testi përfundimtar për mbijetesën e tij në krye të qeverisë.

Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, po përballet me një nga sfidat më serioze të mandatit të tij deri tani, pas një skandali të verifikimit të sigurisë lidhur me emërimin e Peter Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA.

Zbulimet se Ministria e Jashtme i ka dhënë Mandelson-it një nivel të lartë sigurie, përkundër këshillave të agjencisë britanike të verifikimit të sigurisë, kanë nxitur thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.

Shkarkimi i sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Jashtme, Olly Robbins, e ka thelluar krizën, duke hapur një përplasje publike mes Downing Street dhe zyrtarëve të lartë civilë mbi atë se kush dhe kur dinte çfarë për procesin e verifikimit.

Javët në vijim pritet të sjellin disa momente kritike për kryeministrin britanik. Starmer do të përballet sot me deputetët në Dhomën e Komunave, në atë që aleatët e tij e pranojnë si një deklaratë përcaktuese për mandatin e tij.

Robbins do të dalë para Komitetit për Punët e Jashtme të martën me versionin e tij të ngjarjeve. Ndërkohë, zgjedhjet lokale të majit do t’u japin votuesve mundësinë e parë për të dhënë gjykimin e tyre. Ja cilët janë dy skenarët se si Starmer mund të humbasë postin, dhe dy rrugë për mbijetesën e tij politike.

Starmer do bjerë para zgjedhjeve lokale

Presioni mbi Starmer-in është aq i madh, saqë largimi i tij para zgjedhjeve lokale të majit është një mundësi që s’mund të përjashtohet. Por kërcënimi më i menjëhershëm vjen nga ritmi i zbulimeve mbi Mandelsonin, pra jo nga një zhvillim i vetëm.

Robbins u shkarkua të enjten në mbrëmje për shkak të skandalit. Ky akt ka shkaktuar polemika të reja, pasi aleatët e tij po kundërshtojnë publikisht versionin e Downing Street dhe e akuzojnë këtë të fundit se e ka bërë “kokë turku”.

Starmer ka thënë se është “tronditëse” dhe “e pafalshme” që nuk ishte informuar se Mandelson nuk kishte kaluar verifikimin e sigurisë, duke pretenduar se e mësoi këtë vetëm të martën, më 14 prill. Por ky pretendim është i diskutueshëm.

Ish-ministri i Jashtëm James Cleverly ka thënë se është “e paimagjinueshme” që kryeministri të jetë mbajtur në errësirë në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë, udhëheqja e konservatorëve në opozitë, Kemi Badenoch, e ka akuzuar Starmer-in se ka mashtruar parlamentin lidhur me rezultatin e verifikimit të Mandelson-it, duke pretenduar se ai nuk e ka korrigjuar në kohë informacionin.

Ndërsa lideri i Liberal Demokratëve, Ed Davey, i ka kërkuar këshilltarit për etikë të kryeministrit, Laurie Magnus, të shqyrtojë nëse është shkelur Kodi Ministror. Nga ana tjetër SNP, Plaid Cymru dhe Reform UK kanë bërë gjithashtu thirrje për dorëheqjen e Starmer-it.

Nëse seanca e sotme shkon keq ose nëse dalin dokumente të tjera që kundërshtojnë versionin e qeverisë për kohën kur Starmer u informua, klima brenda partisë Laburiste mund të ndryshojë shpejt. Dorëheqja vullnetare mbetet e mundur, por Starmer nuk ka dhënë asnjë sinjal se synon të largohet.

Një largim i detyruar i tij do të kërkonte një sfidë formale për lidershipin. Të paktën 81 deputetë laburistë duhet të propozojnë publikisht një kandidat rival. Ky prag nuk është arritur ende dhe pa një sfidues të besueshëm nuk mund të nisë ky proces.

Starmer qëndron deri në maj, pastaj dorëhiqet

Një skenar më i mundshëm është që Starmer të mbijetojë deri në zgjedhjet vendore të majit, përpara se të detyrohet të dorëhiqet si rruga më e lehtë. Edhe pa këtë skandal, Partia Laburiste do të kishte jo pak vështirësi në këto zgjedhje.

Zëvendëskryeministri David Lammy tha në një intervistë për Guardian se pret “zgjedhje të vështira të mesmandatit”, edhe para skandalit, duke përmendur kostot e jetesës dhe shqetësimet për shërbimet publike.

Nëse rezultatet tregojnë një rënie të fortë të votave për Laburistët - dhe nëse historia e Mandelson vazhdon gjatë prillit - presioni nga brenda partisë do të rritet. Në këtë skenar, lëvizjet do të bëheshin më shumë në prapaskenë sesa përmes një rebelimi publik.

Një pretendent - si sekretari i Shëndetësisë Wes Streeting ose zëvendëskryeministrja Angela Rayner - do të duhej të ishte gati të niste një fushatë. Por asnjëri prej tyre nuk ka shpallur publikisht interes për lidershipin.

Starmer mbetet kryeministër sepse nuk ka zëvendësues të gatshëm

Argumenti më i fortë i Starmer-it për mbijetesë është strukturor: Partia Laburiste nuk ka një pasues të qartë dhe të gatshëm. Kryetari i Bashkisë së Manchesterit, Andy Burnham, shihet si kandidat i mundshëm, por nuk mund ta sfidojë formalisht nga jashtë Westminster-it.

Streeting dhe Rayner nuk konsiderohen ende në pozicion për një fushatë bindëse dhe nuk kanë sinjalizuar publikisht këtë ambicie. Një sfidë për lidershipin është një proces i gjatë dhe përçarës për një parti në qeveri.

Po ashtu, Starmer thekson se mandatin e mori në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024. Ai fitoi një shumicë të konsiderueshme mbi bazën e programit të tij dhe mund të argumentojë se votuesit e zgjodhën pikërisht atë për të udhëhequr. Në këtë skenar, ai mbijeton për shkak të mungesës së një alternative të qartë, ndërsa përballet me turbullira politike.

A mund ta kalojë krizën pa pasoja?

Ka gjasa që Starmer të dalë nga kjo periudhë ende në detyrë dhe politikisht i qëndrueshëm. Qeveria ka porositur një hetim të pavarur mbi emërimin e Mandelson dhe sistemin e verifikimit të sigurisë, i drejtuar nga gjyqtari i pensionuar Adrian Fulford.

Pyetja kyçe - nëse Starmer dinte për rezultatin e verifikimit më herët - mbetet e diskutueshme dhe jo e provuar. Dokumentet e publikuara nga Downing Street duket se mbështesin pretendimin e tij se u informua vetëm më 14 prill.

Aleatët e Robbins e kundërshtojnë idenë se ai “anashkaloi” një dështim, duke argumentuar se procesi nuk është thjesht kalim apo dështim, por një vlerësim rreziku. Ndërkohë sipas rregullave, Robbins nuk do të kishte qenë i lejuar t’u zbulonte ministrave rezultatin. Nëse kjo bind publikun, do të rritet mundësia që Starmer të jetë mbajtur realisht në errësirë.

Nëse deklarata e tij në parlament pritet mirë dhe nëse hetimi nuk nxjerr zbulime të reja të dëmshme, tensioni politik mund të bjerë. Deri tani, asnjë kandidat serioz nuk ka shpallur ambicie për lidershipin.

Pa një të tillë, nuk mund të nisë procesi zyrtar për zëvendësim. Mbijetesa politike e Starmer i ka befasuar skeptikët edhe më parë. Dhe ai mund t’ia dalë sërish. / Përshtati "Pamfleti Nga “The i Paper”

keir starmer

Lini një Përgjigje