TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Qershor 2025, 21:25

Dyfytyrësia e Giorgia Melonit

Shkruar nga Mario Lavia

Dyfytyrësia e Giorgia Melonit

Në politikën e jashtme mundohet të ndjekë tendencat pro-evropiane, por në politikën e brendshme po imiton Donald Trumpin.

Giorgia Meloni është me dy fytyra si Janusi. Më pak Trumpiane në politikën e jashtme, dhe më shumë Trumpiane në politikën e brendshme. Kjo është mënyra e saj e të qenit e lëkundur: sot pak këtu, nesër pak atje, duke mos pasur asnjë siguri për të nesërmen.

Kryeministrja italiane e kupton se nga Emmanuel Macron, Keir Starmer e deri tek Friedrich Merz, presioni evropian ndaj saj po është gjithnjë e më i fortë. Pardje në Shtëpinë e Bardhë, kancelari gjerman, i përshkruar nga Donald Trumpi si “një njeri i madh”, nuk i kurseu fjalët:

“Ne duam që lufta në Ukrainë të përfundojë. Do të flasim me presidentin amerikan se si mund të ndihmojmë në këtë qëllim. Ne të gjithë po kërkojmë për masa dhe mjete, që t’i japim fund kësaj lufte të tmerrshme!”.

Në këtë mënyrë, Meloni e korrigjoi paksa qëndrimin e saj anti-evropian, atë që ishte në përputhje me “Sherifin” e Amerikës, duke u shfaqur e buzëqeshur në samitin në Romë me presidentin francez Macron, të cilin në fakt e urren, edhe pse me të cilin ajo ka nënshkruar zyrtarisht disa marrëveshje të rëndësishme.

Rikthimi i kursit drejt BE-së, që në rastin e një politikaneje si Meloni është gjithmonë e varur në fije të perit, ishte pjesë e paqes së arritur me presidentin francez, për shkak të nevojës për të krijuar një front të përbashkët në Evropë, përballë frikës së braktisjes nga një Donald Trump gjithnjë e më i frikësuar nga ashpërsia që po tregon Vladimir Putin sa herë që bisedojnë në telefon.

Sidoqoftë, në funksion të samitit të NATO-s që do mbahet më 24-25 qershor në Hagë, Meloni po punon për të arritur nivelin 2 për qind të PBB-së në shpenzime ushtarake, lajm që ajo do ta shpallë në Holandë. Për këtë arsye e ka izoluar Matteo Salvinin, falë edhe marrëveshjes me Antonio Tajani dhe padyshim edhe me Guido Crosetto-n, pavarësisht se presidenca është vetë shumë e kujdesshme për ta mbajtur qeverinë italiane brenda kuadrit të angazhimeve të BE-së dhe NATO-s. Nëse në frontin ndërkombëtar, kryeministrja duket se u bashkohet evropianëve në një grupim anti-Trump, në frontin e brendshëm ajo ka zgjedhur tani përfundimisht “vijën e ashpër”, jo aq shumë në lidhje me sigurinë sesa në marrëdhëniet civile.

Dekreti i sigurisë i miratuar së fundmi në parlament, nën një klimë që ka pak precedentë në aspektin e përplasjeve midis shumicës dhe opozitës, sinjalizon hedhjen e një hapi shqetësues në cilësi në drejtim të sigurisë së jetës shoqërore.

Është folur shumë, por ndoshta jo mjaftueshëm, për çështjen e ngritur në Senat nga Matteo Renzi, dhe jo vetëm prej tij (për shembull edhe nga Laura Boldrini). Neni 17 i Ligjit të Inteligjencës të përmendur në dekret, parashikon që agjentët e shërbimit të inteligjencës që kryejnë “veprime të përcaktuara me ligj si krim, të autorizuara legjitimisht herë pas here si të domosdoshme për qëllime institucionale”.

Pra do jenë operacione “të autorizuara ligjërisht”, nëse kryeministri apo autoriteti i deleguar e ka lëshuar një autorizim të arsyetuar. Në thelb, është një rregull që i autorizon shërbimet sekrete të bëjnë praktikisht çdo gjë.

Juristja Vitalba Azzollini shkroi në Pagella Politica, se Boldrini gabon kur thotë se dekreti i lejon shërbimet sekrete të “krijojnë” organizata terroriste. Sipas saj, ligji flet vetëm për organizim dhe drejtim, jo ​​për krijim ngjarjesh.

Por, ajo ka të drejtë kur thekson se dekreti zgjeron gamën e krimeve, në të cilat agjentët e shërbimit sekret mund të përfshihen pa u ndëshkuar, duke përfshirë edhe në krime shumë të rënda siç është drejtimi i grupeve terroriste dhe prodhimi i eksplozivëve, nëse autorizohet në kontekstin e operacioneve të shërbimeve të inteligjencës”.

Në përgjithësi, është një dekret shumë problematik edhe nga pikëpamja e së drejtës, ndaj duhet kundërshtuar. Përzierja e tendencave represive me lirinë absolute të veprimit për shërbimet sekrete, shënon një pikë shumë serioze pa kthim. A do të ndërhyjë ndonjëherë Gjykata Kushtetuese?

Kjo që po shohim kohët e fundit në Itali, është fytyra e egër e Giorgia Melonit, ndoshta e nevojshme për të kompensuar atë tjetrën, që vetëm buzëqesh në takimet ndërkombëtare. Por mund të jeni të sigurt se fytyra e saj e parë nuk do të ndryshojë, sepse është ajo e së djathtës e ngjyrosur me impulse anti-demokratike.

Ndërsa për të dytën, është legjitime të keni dyshime: nëse Donald Trump që zemërohet, atëherë do të shihni sesi do të ndryshojë edhe fytyra e Giorgias./Përshtati "Pamfleti" nga  “Linkiesta”

Lini një Përgjigje