TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Korrik 2026, 12:14

Edhe për sa kohë Europa mund ta ‘injorojë’ Rusinë?

Shkruar nga Vasilis Kostoulas

Edhe për sa kohë Europa mund ta ‘injorojë’

Nuk janë të paktë në Evropë, ata që shprehin pakënaqësi për këtë zhvillim në marrëdhëniet me Rusinë...

Pas pushtimit rus të Ukrainës, marrëdhëniet e Evropës me Kremlinin ndodhen në pikën e tyre më të ulët që nga Lufta e Ftohtë. Përmes paketës më të gjerë të sanksioneve në historinë e saj, Bashkimi Evropian e trajton Rusinë si një shtet që përbën një kërcënim të madh për sigurinë evropiane. Për këtë arsye, qeveritë evropiane kanë nisur një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve për mbrojtjen.

Megjithatë, nuk janë të paktë në Evropë, ata që shprehin pakënaqësi për këtë zhvillim në marrëdhëniet me Rusinë. Në thelb, ata ndahen në dy kategori. Disa besojnë se reagimi i Perëndimit ndaj Putinit ishte që në fillim i tepruar. Të tjerë mendojnë se Evropa ishte fillimisht e detyruar të mbante një qëndrim të ashpër, por se tani ka ardhur koha të hidhen sërish bazat për ngrohjen e marrëdhënieve me Moskën. Disa madje propozojnë rikthimin e ekonomisë evropiane te rezervat ruse të energjisë, duke u përqendruar te pasojat e dukshme të shkëputjes nga nafta dhe gazi natyror i furnizuesit të saj dikur më të madh.

Përfaqësues të skenës politike greke pëlqejnë të përdorin termin "politikë e jashtme shumëdimensionale" për të treguar fleksibilitetin që, sipas tyre, Athina duhet të tregojë ndaj aktorëve të mëdhenj. Megjithatë, në arenën gjeopolitike, rrethanat shpesh kërkojnë vendime që kanë një kosto. Madje, këto ditë po shohim edhe pasojat që mund të sjellë një "fleksibilitet" i tepruar në diplomaci: Donald Trump po përpiqet të gjejë një formulë për rikthimin e Turqisë në programin e avionëve F-35, gjë që megjithatë nuk është e mundur pa heqjen dorë të Ankarasë nga sistemet ruse S-400.

Por a mund ta injorosh Rusinë pafundësisht? Nuk ka asnjë dyshim se një nga sfidat më të mëdha të Evropës në të ardhmen e afërt do të jetë rivendosja e marrëdhënieve me Kremlinin. Nuk është vetëm fakti që të dyja palët ndajnë të njëjtin kontinent, me gjithçka që kjo nënkupton. Përçarja që vazhdon prej katër vjetësh e gjysmë po nxit gjithnjë e më shumë shndërrimin e Rusisë në një shtet satelit të Kinës, një zhvillim që, nga ana e tij, hap një debat më vete.

Megjithatë, kushtet ende nuk janë pjekur për këtë version të "politikës së jashtme shumëdimensionale", për sa kohë që lufta e konsumimit në Ukrainë vazhdon. Rivendosja e marrëdhënieve me Rusinë është e pashmangshme, me kusht që momenti që do të zgjidhet për këtë të mos i shërbejë interesave të Putinit./Përshtati "Pamfleti" nga "Kathimerini"

putin be

1 Komente

  1. M
    Mandomani

    Edhe babloku jone kshtu I ka mesuar europiont qe te flasin me putinin sic e paskan kuptu me ne fund edhe qirjet e greqise se udheheqesi global duhet degjuar

    Lini një Përgjigje