Pas raportimeve për vrasjen gjatë fundjavës të Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, një nga figurat më të fuqishme të krimit të organizuar në Meksikë, vëmendja është zhvendosur te pasardhësit e mundshëm në krye të kartelit Jalisco.
Mes emrave që përmenden si drejtues i ri është Juan Carlos Valencia Gonzalez, 41 vjeç, i lindur në Kaliforni dhe me shtetësi të dyfishtë amerikane dhe meksikane.
Ai njihet edhe me nofkat “El Pelón” dhe “Tricky Tres” dhe konsiderohet djali i adoptuar i Osegueras. Sipas raportimeve, ai shihet si një kandidat potencial për të marrë drejtimin e organizatës kriminale, e cila vlerësohet të ketë një perandori prej rreth 20 miliardë dollarësh.

Autoritetet amerikane e kanë lidhur emrin e tij me aktivitetin e trafikut të drogës prej vitesh. DEA ka bërë publike akuza ndaj tij që nga viti 2020, duke e përfshirë në prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, përdorim armësh zjarri dhe përfshirje në akte të dhunshme që nga viti 2007. Qeveria e SHBA-ve ka shpallur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që çojnë në arrestimin e tij.
Megjithatë, burime të pakonfirmuara pas eliminimit të “El Mencho” sugjerojnë se Valencia mund të jetë caktuar në krye të kartelit, ndonëse analistët theksojnë se ai nuk ka ende autoritetin dhe ndikimin e plotë për të konsoliduar kontrollin mbi strukturën e organizatës.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar frikën për një valë të re përplasjesh. Të dielën u raportuan incidente të dhunshme dhe bllokime rrugësh në qytete të mëdha, përfshirë Guadalajara-n, duke shkaktuar kaos dhe ndërprerje të aktivitetit ekonomik.

Lini një Përgjigje