TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Korrik 2025, 15:59

Epstein dhe dyshimet mbi vetëvrasjen: nga laku i paprekur, te fotografia e humbur e trupit dhe 173 sekondat që mungojnë në video

Shkruar nga Pamfleti

Epstein dhe dyshimet mbi vetëvrasjen: nga laku i paprekur, te fotografia e

Jeffrey Epstein: Vetëvrasje apo vrasje? Dyshimet që nuk shuhet as pas 6 vitesh

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka këmbëngulur që nga fillimi në një version zyrtar: Jeffrey Epstein, miliarderi i akuzuar për trafik seksual të miturish, u vetëvra më 10 gusht 2019 në qelinë e tij në burgun federal Metropolitan Correctional Center (MCC) në Manhattan.

Autopsitë, hetimet e FBI-së dhe një memo e fundit e publikuar në korrik 2023 konfirmojnë të njëjtin përfundim: vetëvarje. Por, rrethanat e natës tragjike, gabimet flagrante të stafit të burgut dhe disa prova që nuk përputhen me skenarin zyrtar kanë ushqyer teori të forta konspirative dhe dyshime se mund të jetë eliminuar qëllimisht.

Nga arrestimi te izolimi

Epstein u arrestua më 6 korrik 2019 në aeroportin Teterboro, pasi u kthye nga Parisi. Akuzat ndaj tij ishin të rënda: trafik seksual dhe shfrytëzim të miturish, akuza që mund ta çonin për dekada në burg. Ai u deklarua i pafajshëm dhe kërkoi arrest shtëpiak në rezidencën e tij luksoze në Manhattan, por gjykata refuzoi, duke theksuar rrezikun e arratisjes ose përsëritjes së veprave.

Në burg, Epstein kaloi fillimisht në qeli të përbashkët, më pas në njësinë e izolimit special (SHU), për shkak të profilit të lartë dhe rrezikut që i kanosej. Një kontroll psikologjik i ditëve të para konfirmoi se ai nuk shfaqte shenja depresioni apo ide vetëvrasëse. Megjithatë, më 23 korrik, rojat e gjetën pa ndjenja dhe me shenja në qafë, një episod që mbeti i paqartë: tentativë vetëvrasjeje apo sulm nga shoku i qelisë, një kriminel i rrezikshëm. Pas 31 orësh vëzhgimi të rreptë, ai u rikthye në të njëjtën qeli, por kësaj here pa shok. Ky vendim, që binte ndesh me protokollet e burgut, u bë fatal.

Natën e fundit

Më 9 gusht, Epstein pati një takim me avokatët e tij dhe më pas një telefonatë me të dashurën. Sipas dëshmive, ai ishte “në humor normal, pa shenja shqetësimi”. Në orën 19:49, kamerat e sigurisë regjistruan hyrjen e tij në krahun e SHU. Kjo ishte hera e fundit që ai shihej gjallë nga pamjet.

Rregullorja e burgut kërkonte kontrolle çdo 30 minuta, por atë natë dy rojat e turnit, të lodhur nga orët e gjata të punës, nuk kryen asnjë kontroll real. Hetimi zbuloi se ata madje fjetën për dy orë dhe falsifikuan procesverbalet, duke pretenduar se kishin kontrolluar qelitë.

Epstein dhe dyshimet mbi vetëvrasjen: nga laku i paprekur, te fotografia e

Në orën 06:33 të mëngjesit të 10 gushtit, alarmi u dha. Epstein u gjet i gjunjëzuar, i përkulur përpara, me një copë çarçafi të lidhur rreth qafës dhe të kapur në pjesën e sipërme të shtratit të tij. Ishte një shtrat metalik me dy nivele, dhe laku ishte i lidhur në një pikë të lartë të strukturës. Ai kishte përdorur një çarçaf të prerë dhe të lidhur me dy nyje. Por, një detaj që ngriti dyshime ishte pozicioni i trupit: Epstein ishte gjetur i gjunjëzuar, jo i varur vertikalisht, dhe të gjitha sendet mbi raftin e sipërm të shtratit kishin mbetur në vend, përfshirë edhe disa shishe plastike, sikur lëvizja e trupit të tij të mos kishte krijuar tronditje.

Gjithashtu, në qeli u gjetën dy litarë të improvizuar nga çarçafët, ndonëse roja që ndërhyri tha se kishte prerë lakun për të liruar trupin. Por laku i marrë si provë nuk kishte asnjë prerje, duke ngritur pyetje mbi autenticitetin e provës.

Autopsia dhe dilemat mjekësore

Mjekja ligjore Kristin Roman e klasifikoi fillimisht vdekjen si të papërcaktuar. Pas disa ditësh, shefja e saj, Barbara Sampson, shpalli përfundimin: vetëvrasje me varje. Por mjeku i pavarur Michael Baden, i caktuar nga familja e Epstein, doli publikisht duke thënë se shenjat në trup ishin më tipike për një mbytje të dhunshme nga një palë e tretë. Ai përmendi tre elementë:

1-      frakturat në një kockë dhe dy kërcinj të qafës, më të zakonshme te viktimat e mbytjes sesa te vetëvarja,

2-      hemorragji të syve (të zakonshme në vrasjet për mbytje),

3-      pozicioni i litarit në mes të qafës, jo nën nofull, siç ndodh zakonisht në vetëvarje.

Epstein dhe dyshimet mbi vetëvrasjen: nga laku i paprekur, te fotografia e

CBS konsultoi ekspertë të tjerë, të cilët u ndanë në dyshime: disa e përjashtuan versionin e Baden, të tjerë thanë se mund të jetë e mundur për një 66-vjeçar me peshë trupore mbi 80 kg. Por një fakt mbeti kritik: mungesa e një fotografie zyrtare të trupit ashtu siç u gjet. Rojat kishin ndërhyrë, e kishin zhvendosur trupin dhe kishin filluar masazh kardiak para se të dokumentonin skenën, një shkelje flagrante e protokollit, pasi mjekësia ligjore kërkon ruajtjen e vendit të ngjarjes.

Epstein dhe dyshimet mbi vetëvrasjen: nga laku i paprekur, te fotografia e

Autopsia vërtetoi gjithashtu se në momentin kur u dha alarmi, Epstein kishte të paktën dy orë që kishte ndërruar jetë. Kjo nënkuptonte se gjatë gjithë kësaj kohe, askush nuk kishte bërë kontrolle.

Videoja dhe segmentet e humbura

Memoja e fundit e Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së publikoi një video 10-orëshe nga kamera e korridorit kryesor. Ajo tregonte hyrjen dhe daljen e rojeve, por jo derën e qelisë. Në video mungonin 62 sekonda rreth mesnatës dhe një tjetër fragment prej 2 minutash e 53 sekondash.

Epstein dhe dyshimet mbi vetëvrasjen: nga laku i paprekur, te fotografia e

Zyrtarët thanë se bëhej fjalë për një “reset teknik normal” të sistemit, por ekspertë dixhitalë të “Wired” zbuluan se videoja ishte montuar nga dy klipe të veçanta dhe e modifikuar disa herë para publikimit.

Neglizhenca apo mbulim gjurmësh?

Raporti final i Departamentit të Drejtësisë (qershor 2023) pranoi se stafi i burgut kishte lehtësuar vetëvrasjen: rojat kishin dhënë çarçafë shtesë dhe objekte të ndaluara, ndërsa Epstein kishte ankuar se e kishin mbyllur për orë të tëra në një dush të errët dhe kishte jetuar në kushte mizerabël (“Blloqe të mëdha buburrecash po më ecnin në duar” shkruante ai në një shënim). Megjithatë, memoja e fundit konfirmon zyrtarisht vetëvrasjen dhe hedh poshtë ekzistencën e ndonjë “liste klientësh” të fuqishëm, çka shumëkush dyshon se ishte motivi kryesor i mundshëm për ta eliminuar.

Misteri vazhdon

Dyshimet nuk i kanë shuar as dokumentet zyrtare, as videot, as konkluzionet e FBI-së. Jeffrey Epstein kishte lidhje të ngushta me politikanë, biznesmenë dhe figura të rëndësishme globale. Një pjesë e publikut vazhdon të besojë se vdekja e tij ishte vrasje për të heshtur një skandal global të trafikut seksual. Madje, edhe ish-presidenti Donald Trump atë natë shkroi një mesazh skeptik: “Vetëvrasje gjatë vëzhgimit 24/7? Po sigurisht!”. Sot, ai nuk e komenton më rastin.

Pas gjashtë vitesh, misteri i vdekjes së Epstein mbetet një prej enigmave më të mëdha të drejtësisë amerikane, me një pyetje që nuk shuhet: A u vetëvra vërtet, apo u vra që të heshtte përgjithmonë? /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”

Lini një Përgjigje