Një vit pas rrëzimit të një prej narkobosëve më të fuqishëm në histori, Meksika po mbytet në luftë të brendshme, ndërsa hija e “El Mayo”-s mbetet ende e gjallë në rrënojat e Sinaloas...
Një vit më parë, në korrik 2024, një nga figurat më misterioze dhe të fuqishme të krimit të organizuar në Amerikën Latine, Ismael "El Mayo" Zambada, u zhduk si pa gjurmë për t'u shfaqur në mënyrë befasuese në një aeroport amerikan. Ai u dorëzua apo u rrëmbye? Sot, në dritën e fakteve të reja, historia e rënies së Zambadës nuk është vetëm një tjetër arrestim i një narkobosi, por një akt i thellë tradhtie që përflaku gjithë shtetin e Sinaloas dhe zbuloi thyerjen e brendshme të një perandorie kriminale.
Zambada, bashkëthemelues i Kartelit të Sinaloas dhe një nga figurat më jetëgjata të trafikut të drogës që nga vitet '80, pretendon se u thirr në një takim "paqësor" nga kumbari i tij, Joaquín Guzmán López, biri i të famshmit "El Chapo". Takimi u mbajt në një resort rural në Huertos del Pedregal, një lagje e njohur e Culiacán-it. Zambada shkoi me katër truproja për të ndërmjetësuar një konflikt mes dy figurave politike të fuqishme, por në vend të paqes, e priti prita.
Sipas një letre të dërguar nga burgu, ai u shoqërua dhunshëm, iu vu kapuç mbi kokë dhe u fut në një avion që përfundoi në Teksas. Tre nga shoqëruesit e tij u zhdukën pa gjurmë dhe njëri nga politikanët që mori pjesë në takimin e organizuar, Héctor Cuén, u vra disa orë më vonë. Autoritetet meksikane e përshkruan ngjarjen si një "sulm të rastësishëm", por për të gjithë banorët e Sinaloas, ky ishte fillimi i një lufte të re.
Rënia e "El Mayo" nuk shënoi vetëm humbjen e një lideri të rëndësishëm, por shkatërrimin e një ekuilibri që kishte mbajtur relativisht "të organizuar" dhunën e Kartelit të Sinaloas. Fraksioni i Zambadës, i njohur si "La Mayiza", hyri në përplasje të përgjakshme me "Los Chapitos", fraksionin e bijve të El Chapos. Lufta është përshkruar si një nga më të dhunshmet në historinë moderne të Meksikës: mbi 1,600 të vrarë, 1,800 persona të zhdukur dhe mijëra familje të shpërngulura në më pak se një vit.
Culiacán-i, zemra e Sinaloas, është sot një qytet i gjymtuar. Lagje si Las Quintas janë shndërruar në fantazma urbane, me biznese të braktisura dhe kujtime të dhunshme. Në një ndërtesë të vjetër ndodhej fabrika e qumështit "Santa Mónica", dikur burim krenarie për familjen Zambada, që shërbente në fshehtësi si front për larje parash. Qumështi i "Mayo-s" ishte në tavolinat e mijëra fëmijëve të Sinaloas, ndërsa pas skenës ndërtohej një perandori droge.
El Mayo, i njohur për profilin e tij të ulët dhe mençurinë strategjike, ishte i vetmi lider i madh që nuk u kap asnjëherë për katër dekada. Ai kishte ndërtuar një mit si "njeriu i fjalës", një figurë me ndikim jo vetëm në krimin e organizuar por edhe në politikën lokale dhe në shoqërinë civile. Mënyra se si u dorëzua, përmes një tradhtie të brendshme, ka krijuar një vakuum që është mbushur me gjak dhe zjarr.
Në planin diplomatik, arrestimi i Zambadës ka ngritur pyetje serioze për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. A ishte ky një operacion i përbashkët i shërbimeve sekrete, apo një shkelje e sovranitetit meksikan? Qeveria e Claudia Sheinbaum ka heshtur, por tensionet janë të ndjeshme dhe mungesa e transparencës vetëm sa i shton dyshimet.
Sot, karteli i Sinaloas është i përçarë, Meksika është në krizë, dhe Zambada është vetëm një hije në kujtimet e një populli që jeton mes kujtimeve të padronëve dhe të dhunës së pafundme. Legjenda e tij mund të ketë përfunduar, por lufta për trashëgiminë e tij sapo ka nisur./Pamfleti
Lini një Përgjigje