
Ndërsa Wall Street Journal hedh një gur kundër presidentit, Fox News po e kompenson këtë.
Pas zbulimeve të reja mbi miqësinë e Donald Trump me miliarderin e turpëruar dhe të ndjerë Jeffrey Epstein, perandoria mediatike e Rupert Murdoch ka hedhur benzinë mbi këtë zjarr, ndërsa njëkohësisht i ka dalë në mbrojtje presidentit amerikan. Analistët theksojnë se kjo çështje, ashtu si i gjithë lëvizja MAGA, po teston marrëdhënien prej vitesh të ngrohtë midis Trump dhe Murdoch.
Vetëm disa muaj më parë, në funeralin e Jimmy Carter, Barack Obama dhe Donald Trump shiheshin duke qeshur pranë njëri-tjetrit në bankat e kishës. Sot, Trump po kërkon ndjekje penale për paraardhësin e tij të parë, duke e akuzuar se ka “manipuluar zgjedhjet” kundër tij në vitin 2016. Dhe, natyrisht, Fox News, xhevahiri i Murdoch në botën mediatike, e ka ndjekur këtë narrativë. Pas skandalit Epstein, përmendjet e emrit të Obamës në këtë rrjet kanë qenë 117 herë më shumë sesa ato të pedofilit dhe spiunëve të dyshuar.
Miqësi e vjetër, akuzë miliardëshe
Por harmonia nuk është më absolute. “The Wall Street Journal” (WSJ), gjithashtu në pronësi të Murdoch, publikoi një histori që pretendonte se Trump i kishte shkruar një mesazh të dyshimtë urimi për ditëlindje Epstein-it në vitin 2003. Reagimi i Trump ishte tipik: paditi WSJ-në dhe Murdoch-un për shpifje, duke kërkuar miliarda dollarë dëmshpërblim.
“Marrëdhënia Trump–Murdoch ka qenë tradicionalisht shumë e ngrohtë”, deklaron Margot Susca, profesoreshë e gazetarisë në Universitetin Amerikan. “Fox News, në pronësi të Murdoch, është kthyer në një televizion thuajse shtetëror për Trump”. Në mandatin e tij të dytë, Trump emëroi disa figura të Fox News në administratë, përfshirë Pete Hegseth si sekretar të Mbrojtjes.
Susca thotë se kjo padi mund të jetë “një kambanë alarmi për Murdoch-un, që të kuptojë se nuk është imun ndaj presioneve të Trump”. Por Fox News rrjeti më i ndjekur në SHBA pothuaj nuk ka përmendur fare padinë, ndërsa WSJ ende e ka artikullin për Epstein aktiv.
Shmangia e së vërtetës dhe sulmet politike
Trump, i cili kërkon të shmangë pyetjet legjitime për marrëdhënien e tij të dokumentuar me Epstein-in, po i drejton trupat e tij mediatikë dhe politikë drejt një teorie konspirative ndaj Obamës, një linjë propagandistike që e ka ushqyer për vite me radhë.
“Është e qartë se Trump do të zhvendosë vëmendjen nga miqësia e tij me Epstein-in, një pedofil miliarder që dyshohet se kishte ngritur një rrjet global trafiku”, thekson Edward Ongweso Jr, studiues në Universitetin e Massachusetts Amherst.
Ndërkohë, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ka mbyllur seancën e Kongresit për të shmangur një votim mbi publikimin e të gjitha dosjeve të Departamentit të Drejtësisë për Epstein. Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, gjenerali në pension Mike Flynn, i konvertuar tashmë në figurë të QAnon, ka bërë thirrje që Obama të arrestohet për një hetim të vitit 2019.
Fox për Trump, WSJ për të vërtetën?
Ndërsa WSJ ruan një qasje më të pavarur dhe ka nisur të publikojë detaje të reja (si fotot e Epstein në dasmën e parë të Trump), Fox News po shkon në drejtim të kundërt, duke heshtur për Epstein dhe duke shpërqendruar opinionin publik me sulme ndaj Obamës.
“Mendoj se Fox po vepron më shumë nga frika sesa nga bindja, por nuk besoj se kjo do të zgjasë shumë”, thotë Ongweso. Edhe pse Murdoch ka flirtuar me kandidatura si Ron DeSantis, duket se asnjë media në perandorinë e tij nuk guxon të shkëputet realisht nga Trump. /Përshtatur nga “The Guardian”
Lini një Përgjigje