Ursula von der Leyen, Emmanuel Macron dhe udhëheqës të tjerë evropianë do të marrin pjesë në takimin Trump-Zelensky të hënën me qëllim shmangien e përplasjes së dytë në Zyrën Ovale, ngjarje që shokoi botën para 5 muajve në Washington.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar në momentet e fundit se ajo, së bashku me “udhëheqës të tjerë evropianë”, do të udhëtojnë për në Uashington DC nesër. Megjithatë, ajo nuk ka specifikuar ende emrat e udhëheqësve që do t’i bashkohen në këtë udhëtim të rëndësishëm.
“Këtë pasdite, do të mirëpres Zelenskyn në Bruksel.Së bashku, do të marrim pjesë në “Koalicionin e të Vullnetshmëve”. Me kërkesë të presidentit Zelensky, do t’i bashkohem takimit me presidentin Trump dhe liderët e tjerë evropianë në Shtëpinë e Bardhë nesër.”, tha Von der Leyen në X.
Në listë për të shoqëruar Zelenskyn në Washington janë edhe presidenti Macron i Francës, kancelari gjerman Mertz dhe kryeministri britanik, Starmer.
Presidenti ukrainas do të udhëtojë të hënën në Uashington për bisedime me presidentin amerikan Donald Trump.
Kjo vjen pas një samiti të dështuar në Alaskë të premten, ku Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin nuk arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sipas Politico, për të parandaluar një përplasje tjetër të mundshme siç ndodhi në 28 Shkurt 2025 dhe për të siguruar një përfshirje më të madhe të Evropës në negociata, presidenti finlandez Alexander Stubb dhe ndoshta sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte mund ta shoqërojnë Zelenskyn gjatë udhëtimit të tij në Washington nesër, përfshirë edhe Ursula von der Leyen, të cilën kanë një marrëdhënie të mirë me presidentin amerikan.
Presidenti amerikan ka thënë se dëshiron të anashkalojë një armëpushim në Ukrainë, në favor të një marrëveshjeje paqeje të përhershme.
Ndërkohë, liderët e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar do të zhvillojnë një telefonatë me aleatët të dielën për luftën në Ukrainë.
Bisedimet në Alaskë mes Donald Trump dhe Vladimir Putinit u mbyllën pa marrëveshje konkrete për armëpushim, por pas kuintave mësohet se kërkesat e presidentit rus kanë qenë të forta. BBC raporton se Vladimir Putin i ka propozuar homologut të tij amerikan, Donald Trump, dorëzimin dhe kontrollin të plotë të rajonit lindor të Donetskut nga Ukraina, i cili është 70% i pushtuar nga Rusia.
Sipas mediave, Putini në këmbim do të pranonte që vijat e frontit të ndaleshin dhe të mos përparonin më tej brenda territorit ukrainas. Ndërkohë që kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump thuhet se ia tha Volodymyr Zelenskyt ofertën në një telefonatë pas samitit të Alaskës. Sado e pakëndshme që është për Kievin, çështja e territorit është një pikë thelbësore negociuese në këto përpjekje paqeje.
Është e vështirë të imagjinohet që Zelensky të dorëzojë qytete të mëdha pasi i ka mbrojtur me sukses për kaq shumë kohë. Kjo do të kërkonte gjithashtu miratimin e parlamentit të Ukrainës.
Lini një Përgjigje