Bisedimet në Alaskë mes Donald Trump dhe Vladimir Putinit u mbyllën pa marrëveshje konkrete për armëpushim, por pas kuintave mësohet se kërkesat e presidentit rus kanë qenë të forta. BBC raporton se Vladimir Putin i ka propozuar homologut të tij amerikan, Donald Trump, dorëzimin dhe kontrollin të plotë të rajonit lindor të Donetskut nga Ukraina, i cili është 70% i pushtuar nga Rusia.
Sipas mediave, Putini në këmbim do të pranonte që vijat e frontit të ndaleshin dhe të mos përparonin më tej brenda territorit ukrainas. Ndërkohë që kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump thuhet se ia tha Volodymyr Zelenskyt ofertën në një telefonatë pas samitit të Alaskës. Sado e pakëndshme që është për Kievin, çështja e territorit është një pikë thelbësore negociuese në këto përpjekje paqeje.
Është e vështirë të imagjinohet që Zelensky të dorëzojë qytete të mëdha, pasi i ka mbrojtur me sukses për kaq shumë kohë. Kjo do të kërkonte gjithashtu miratimin e parlamentit të Ukrainës.
Ndërkohë presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur gatishmërinë për të zhvilluar një takim trepalësh me presidentët e Rusisë dhe Ukrainës, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, më 22 gusht.
Gjatë bisedës telefonike, Trump ka shfaqur interesin për të organizuar një samit të drejtpërdrejtë, në të cilin të dy liderët, Putin dhe Zelensky, të takohen për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje paqeje. Më herët, gazetat kishin raportuar se Trump kishte propozuar një marrëveshje paqeje në të cilën Ukraina do t’ia dorëzonte Rusisë pjesën tjetër të rajonit të Donbasit, përfshirë territoret që ende janë nën kontrollin rus. Në këmbim, Ukraina do të merrte një armëpushim në frontet aktuale dhe garanci sigurie, si për vetë Ukrainën, ashtu dhe për Evropën.
Pas takimit të tij me Putin në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Alaska, ku bisedimet zgjatën rreth tre orë, Trump e vlerësoi samitin si “shumë produktiv”. Pjesëmarrësit në bisedimet me Putinin përfshinin ndihmësin e Kremlinit, Yury Ushakov, dhe ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, ndërsa pala amerikane u përfaqësua nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe i Dërguari Special i Presidentit, Steve Witkoff.
Pas takimit, Trump ka telefonuar Zelenskyn, udhëheqësit evropianë, dhe ka diskutuar mundësitë për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit. Në telefonatën e tij, Trump shprehu besimin se Ukraina dhe Rusia duhet të nisin negociatat për një marrëveshje përfundimtare paqeje, duke hequr dorë nga kërkesa për një armëpushim të menjëhershëm.
Në mes të gjithë këtyre zhvillimeve, Trump dhe Zelensky do të takohen personalisht në Shtëpinë e Bardhë më 18 gusht, me shpresën që bisedimet të çojnë në një marrëveshje më të thellë për paqe.
Lini një Përgjigje