17 Nëntor 1869 - Hapet Kanali i Suezit
Kanali i Suezit, që lidh Detin Mesdhe dhe Detin e Kuq, u përurua në një ceremoni madhështore, ku mori pjesë edhe Perandoresha Franceze Eugjenia, gruaja e Napoleonit III. Në vitin 1854, Ferdinand Dë Leseps, ish-konsulli francez në Kajro, siguroi një marrëveshje me guvernatorin osman të Egjiptit për të ndërtuar një kanal 160 km të gjatë përgjatë Istmit të Suezit.
Një ekip ndërkombëtar inxhinierësh hartoi një plan, dhe në vitin 1856 u formua Kompania e Kanalit të Suezit, së cilës iu dha e drejta për ta përdorur kanalin për 99 vjet pas përfundimit të punimeve. Ndërtimi filloi në prillin e vitit 1859, dhe në fillim gërmimet u bënë me kazma dhe lopata nga punëtorë vendas.
Më vonë, mbërritën punëtorë evropianë me disa mjete më moderne. Gjithsesi, mosmarrëveshjet në punë dhe një epidemi kolere e ngadalësuan ndërtimin, dhe Kanali i Suezit përfundoi vetëm në vitin 1869, pra 4 vjet me vonë nga parashikimi. Kur u hap, kanali ishte vetëm 7.7 metra i thellë, 22 metra i gjerë në fund, dhe 60-90 300 metra i gjerë në sipërfaqe.
Për pasojë, më pak se 500 anije lundruan në të në vitin e parë. Megjithatë, përmirësime të mëdha filluan në vitin 1876 dhe kanali u bë në një nga korridoret më të dendura të transportit detar në botë. Në vitin 1875, Britania u bë aksionerja më e madh në Kompaninë e Kanalit të Suezit kur bleu aksionet nga guvernatori i ri osman i Egjiptit.
Shtatë vjet më vonë, ajo e pushtoi Egjiptin. Traktati anglo-egjiptian i vitit 1936, e bëri Egjiptin praktikisht të pavarur, por Britania rezervoi të drejtat për mbrojtjen e kanalit. Pas Luftës së Dytë Botërore, Egjipti kërkoi largimin e trupave britanike nga Zona e Kanalit të Suezit, ndërsa në korrik 1956, presidenti Gamal Abdel Nasser e shtetëzoi kanalin, duke shpresuar të vendoste taksa për ndërtimin e një dige të madhe në lumin Nil.
Në kundërpërgjigje, Izraeli e pushtoi zonën e kanalit në fund të tetorit, dhe trupat britanike dhe franceze zbarkuan në fillim të nëntorit. Nën presionin e OKB, Britania dhe Franca u tërhoqën në dhjetor, ndërsa ato izraelite në mars 1957. Sot, dhjetëra anije lundrojnë në kanal çdo ditë, duke transportuar më shumë se 300 milionë ton mallra në vit.
Ngjarje të tjera të rëndësishme të ndodhura më 17 nëntor:
Në vitin 1777, Kongresi i Shteteve të Bashkuara dërgoi Artikujt e Konfederatës për ratifikim tek shtetet pas 16 muajsh debatesh të forta. Artikujt ishin dokumenti i parë që krijoi një strukturë qeverisëse për SHBA-në. Ratifikimi përfundimtar u vonua për shkak të mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokave.
Në vitin 1863, gjatë Luftës Civile Amerikane, forcat e Konfederatës të udhëhequra nga gjenerali James Longstreet nisën rrethimin e qytetit Knoxville, Tennessee. Pas dy javësh dhe një sulmi të dështuar, ata tërhiqen për t’u bashkuar me ushtrinë tjetër të Konfederatës. Ky ishte një episod i rëndësishëm në fushatën ushtarake për kontrollin e Jugut.
Në vitin 1973, gjatë skandalit Watergate, presidenti amerikan Richard Nixon deklaroi publikisht: “Unë nuk jam një hajdut!”. Kjo deklaratë u bë gjatë një sesioni pyetje-përgjigje me gazetarët. Skandali çoi më vonë në dorëheqjen e Nixon-it.
Në vitin 1989, në Pragë u mbajt një demonstratë masive studentore kundër regjimit komunist të Çekosllovakisë. Demonstrata u shtyp me forcë, por ishte në fakt fillimi i Revolucionit të Kadifenjtë, që çoi në rrëzimin e regjimit komunist në vend.
Në vitin 2003, aktori i famshëm me origjinë austriake Arnold Schwarzenegger u betua si guvernator i shtetit të Kalifornisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje