
Presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje anëtarëve republikanë të Kongresit që të votojnë për publikimin e dosjeve që lidhen me të ndjerin e dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein, duke i dhënë fund kështu rezistencës së mëparshme ndaj një veprimi të tillë.
Postimi i Trump në rrjetin social Truth Social erdhi pasi Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha se besonte që një votim për publikimin e dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë në rastin Epstein do të ndihmonte në uljen e akuzave se Trump kishte ndonjë lidhje me abuzimin dhe trafikimin e vajzave të mitura nga Epstein.
“Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve duhet të votojnë për publikimin e dosjeve të Epstein, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur”, shkroi Trump të dielën në mbrëmje. Në vijim ai vijon “është koha të largohemi nga ky mashtrim demokrat i kryer nga të çmendurit e së majtës radikale me qëllim që të shmangim suksesin e madh të Partisë Republikane, përfshirë fitoren tonë të fundit ndaj ‘Mbylljes’ së Demokratëve.”
Edhe pse Trump dhe Epstein u fotografuan së bashku dekada më parë, presidenti ka thënë se ai kishte ndërprerë kontaktet me të para dënimeve të Epstein. Emailet e publikuara javën e kaluar nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve treguan se Epstein besonte se Trump "dinte për vajzat", megjithëse nuk ishte e qartë se çfarë do të thoshte kjo frazë.
Trump, i cili kohët e fundit i ka hedhur poshtë dosjet e Epstein si një fushatë shpifjesh të demokratëve, që atëherë e ka udhëzuar Departamentin e Drejtësisë të hetojë lidhjet e demokratëve të shquar me Epstein.
Beteja mbi zbulimin e më shumë dokumenteve të lidhura me Epstein, një temë për të cilën vetë Trump bëri fushatë, ka hapur një përçarje me disa nga aleatët e tij në Kongres.
Shumë nga mbështetësit më besnikë të Trump besojnë se qeveria po mban të fshehtë dokumente të ndjeshme në lidhje me Epstein, një abuzues seksual i dënuar që vdiq nga vetëvrasja në burg në vitin 2019, të cilat do të zbulonin lidhjet e financierit të ndjerë me figura të fuqishme publike.
Republikanët mbajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, me 219 vende, kundrejt 214 që kanë demokratët.
Lini një Përgjigje